Nis spërkatja kundër rriqnave në Malishevë
Prishtinë, 15 gusht - Sot ka filluar puna për spërkatjen e rriqnave në komunën e Malishevës për të parandaluar përhapjen e etheve hemorragjike - Krime Kongo, që rrjedhimisht parandalon edhe rastet e mundshme të vdekjes.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëdetësisë shpresojnë se përmes zhvillimit të procesit të spërkatjes do të mund ta kenë nën kontroll më shumë situatën.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti ka theksuar se deri më tani janë ndarë mbi 500 mijë euro për spërkatjen kundër rriqnave, shkruan RK.
Ministria e Shëndetësisë sivjet ka ndarë 159 mijë euro për dezinsektim selektiv. Pastaj edhe 350 mijë euro tjera në sigurimin e terapisë për trajtimin e të prekurve dhe së fundi qeveria ka lejuar edhe 100 mijë euro tjera për zvogëlimin e pasojave nga ethet hemorragjike, tha Hoti.
Sipas Faik Hotit, tani është një fazë tjetër e dezinsektimit selektiv që po bëhet në komunën e Malishevës, Rahovecit dhe komuna të tjera që njihen si zona endemike për ethe hemorragjike.
Gjithë puna po realizohet nga përfaqësues të kompanisë amerikane \"Truly nolen\".