Nis projekti për shëndetin oral në çerdhet e Prishtinës
Prishtinë, 17 nëntor - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia me rastin e fillimit të realizimit të projektit Fëmijët e vegjël, buzëqeshja e madhe, vizitoi çerdhen Buzëqeshja për promovimin e këtij projekti.
Ky aktivitet është si rezultat i vizitave sistematike shkollore që i kemi barë në klasat e I dhe të V ku janë gjetur shumë probleme të natyrës stomatologjike tej fëmijët. Tani, për shkak të këtyre raporteve, kemi vendosur që të bëhen intervenime, kontrolle dhe fushatë e edukimit për fëmijët në çerdhe, duke i vetëdijësuar ata për rëndësinë e pastrimit të dhëmbëve, kujdesit shëndetësor, si dhe të jemi në komunikim edhe me prindërit e tyre, tha Kryetari Ahmeti.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, tha se është evidentuar se nxënësit e klasave të para kanë probleme të mëdha me higjienën orale, andaj është vendosur që ky intervenim të bëhet në faza më të hershme të fëmijërisë.
Sot kemi filluar me këtë projekt në çerdhen Buzëqeshja, por ky aktivitet do të vazhdojë në të gjitha çerdhet e Komunës së Prishtinës, me qëllim të edukimit të fëmijëve dhe të promovimit të shëndetit oral, në mënyrë që mos të ketë nevojë për intervenime në të ardhmen, pasi që kjo do ta ulte edhe koston e shpenzimeve për një familje, por njëkohësisht e mbron edhe shëndetin e fëmijëve.
Drejtoresha e çerdhes Buzëqeshja, Valdete Haliti, e falënderoi Komunën e Prishtinës për këtë iniciativë që sipas saj është shume e nevojshme për fëmijët, duke e pasur parasysh rëndësinë e shëndetit oral në fazën e hershme të zhvillimit.
Në kuadër të kësaj fushate prindërve do tiu shpërndahen edhe broshura sensibilizuese për shëndetin oral, ku përfshihen edhe këshilla se si mirëmbahet higjiena orale.