Nis konferenca për politikat profesionale dhe edukimin klinik
Prishtinë, 26 shtator - Organizuar nga Asociacioni i Mjekëve Gjermanë dhe Qendra Klinike Universitare e Manhajmit në Gjermani, mbështetur nga Fondacioni Hans-Neuffer-Stiftung dhe Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës sot në Prishtinë i ka filluar punimet konferenca dy ditore :Politikat profesionale dhe edukimi klinik.
Kjo konferencë dy ditore ka mbledhur në Prishtinë ekspertë të fushës së shëndetësisë nga Gjermania si Dr. Frank Ulrich Montgomery, President i Asociacionit Mjekësor Gjerman; Prof. dr. Otmar Kloiber, Sekretar Gjeneral i Asociacionit Botëror Mjekësor (World Medical Association) Rudolf Henke, Mdb, anëtar i Bundestagut Gjerman dhe Kryetar i Unionit të Mjekëve Marburger Bund dhe të tjerë, të cilët bashkë me vendimarrësit në shëndetësinë kosovare dhe klinicistët, po diskutojnë për praktikat e mira në politikat shëndetësore dhe përvojat e ndryshme klinike.
Në hapje të kësaj ngjarje të rëndësishme, ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Republikës së Gjermanisë në Kosovë, Dr. Ernst Reichel , i cili ka theksuar se Kosova është shtet i ri në Evropë dhe si i tillë, do të përfitojë nga ky lloj i bashkëpunimit me shtetin e Gjermanisë në fushën e shëndetësisë.
Ministri Ferid Agani tha se kjo konferencë vie në kohën më të mirë të mundshme, në kohën kur Ministria e Shëndetësisë, për herë të parë pas dymbëdhjetë vjetësh, ka arritur marrëveshje me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, për mbështetje reformave në shëndetësinë kosovare, e para së gjithash Projektligjit për Sigurime Shëndetësore dhe krijimit të Fondit të Sigurimeve.
Pasi ka bërë një prezantim të thuktë për rolin që duhet ta kenë mjekët kosovarë në proceset e ardhshme reformuese të shëndetësisë kosovare, Ministri Agani ka theksuar se bashkëpunimi i MSH-së, QKUK-së me Asociacionin e Mjekëve të Gjermanisë, Unionin e Mjekëve Marburger Bund dhe Asociacionin Botëror të Mjekëve, ka krijuar edhe premisat që Kosova me Ligjin e ri për Shëndetësi të krijojë Odën e Profesionistëve Shëndetësor, në kuadër të së cilës do të jenë Oda e Mjekëve, e Stomatologëve, Farmacistëve dhe Oda e Infermierisë.
Dr. Frank Ulrich Montgomery, President i Asociacionit Mjekësor Gjerman, tha se konferenca është një mundësi e mirë që të ndahen përvojat midis profesionistëve shëndetësor nga Gjermania dhe Kosova, në mënyrë që përvojat e mira ta ndihmojnë Kosovën që të ketë një sistem shëndetësor të fortë.
Prof. Dr. Stefan Post, drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Manhajmit, tha se entuziazmi që ekziston në bashkëpunimin midis kësaj qendre dhe QKUK-së, duhet të shfrytëzohet për organizimin sa më të mitë të klinicistëve të QKUK-së, pasi që, theksoi ai, një sistem shëndetësor i avansuar, kërkon edhe specialistë të fushave përkatëse.
Prof. dr. Otmar Kloiber, Sekretar Gjeneral i Asociacionit Botëror Mjekësor, tha se për profesionistët shëndetësor kosovarë është me rëndësi që të jenë pjesë e zhvillimeve në shëndetësi, pasi që, theksoi ai, brenda sistemit shëndetësor, edhe mjekët duhet të jenë të organizuar. Sipas tij, është ekstremisht e nevojshme që sistemi të zhvillohet hap pas hapi, ndërsa themelimi i Odës së Profesionistëve Shëndetësor në Kosovë, do të ndihmojë në këtë drejtim.