24 Dhjetor 2024

Nis java e shëndetësisë Kosovë-Turqi

Prishtinë, 29 shtator - Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë sot në Prishtinë ka filluar Java e Shëndetësisë Kosovë-Turqi.

Hapja e kësaj jave, gjatë të cilës 22 ekspertë të fushave të mjekësisë: Kardiokirurgë, kardiologë, kirurgë pediatrikë, gjinekolog, radiologë, gastroenterolog, kirurgë të djegieve dhe neurokirurgë, gjatë një jave të qëndrimit në QKUK, bashkë me kolegët e tyre nga kjo qendër do të kryejnë ndërhyrje mjekësore te pacientët kosovarë.

Kjo është mundësuar falë Marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy ministrive.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Songul Ozan tha se organizimi i kësaj jave të shëndetësisë është realizim i zotimit të dhënë kohë më parë nga Ministri turk i Shëndetësisë, Mehmet Muezinoglu, në kuadër të intensifikimit të bashkëpunimit Turqi –Kosovë në shëndetësi.

“Ne do ta mbështesim zhvillimin e Kosovës, si në planin ekonomik, kulturor dhe shëndetësor. Turqia është dëshmuar me të arriturat e saj të larta në shëndetësi dhe gjatë kësaj jave të qëndrimit këtu, besoj që ekspertët tanë do të dëshmojnë këtë me punën e tyre me kolegët kosovarë”, tha Ambasadorja Ozan.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, tha se marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis Kosovës e Turqisë, janë shndërruar në një bashkëpunim shumë të mirë edhe në shëndetësi midis profesionistëve, shoqatave  profesionale dhe institucioneve të dy vendeve.

“Kjo na jep të kuptojmë se ky bashkëpunim do të jetë afatgjatë dhe përveç Marrëveshjes së bashkëpunimit, me anë të së cilës çdo vit nga 100 pacientë kosovarë me sëmundje të rënda që nuk mund të trajtohen këtu, trajtohen falas në Turqi, midis institucioneve tona po zhvillohet një bashkëpunim gjithnjë e më cilësor”, tha Ministri Agani.

Ministri tha se punuar në vazhdimësi që shërbimet shëndetësore të ofrohen në vend, dhe kjo, sipas tij, është zgjidhje shumë më e mirë se sa pacientët të dërgohen jashtë, ndërsa këmbimi i përvojave midis ekspertëve të dy vendeve dhe bashkëpunimi si ky gjatë Javës së shëndetësisë, flet se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur dhe se në vend kanë filluar edhe shërbimet që më parë nuk janë ofruar.

Njazi Gashi, drejtor i QKUK-së,tha se ndihma e ekspertëve nga Turqia në sektorin shëndetësor do të jetë e nevojshme edhe më tej, ndërsa bashkëpunimi i nisur kohë më parë, do t’i mundësojë QKUK-së që të avancojë me shërbimet e reja shëndetësore, të cilat në bashkëpunim me partnerët kanë filluar të ofrohen edhe në këtë qendër, siç janë ato nga kardiokirurgjia.

Karaman Esdemir, këshilltar për politika të jashtme i Ministrit të Shëndetësisë të Turqisë, tha se ekipi prej 22 ekspertëve të fushave shëndetësore nga Turqia janë në Kosovë për të ndarë me kolegët e tyre eksperiencat mjekësore dhe për të bashkë-operuar siç u shpreh ai, në disa raste të komplikuara.

Ai tha se bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë dhe propozojë që shumë shpejt, një ekip i profesionistëve nga Kosova, të qëndrojë në aftësim profesional prej një muaji në Republikën e Turqisë, në kuadër të zotimeve që ka dhënë Ministri i Shëndetësisë i këtij vendi për ta përkrahur shëndetësinë kosovare.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)