Ngritet aktakuza e dytë lidhur me rastin Medicus
Prishtinë, 13 qershor - Të premten e kaluar, një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur një aktakuzë kundër dy personave lidhur me rastin e ashtuquajtur Medicus.
Yusuf Ercin Sonmez, shtetas turk dhe Moshe Harel, shtetas izraelit janë të pandehurit në këtë aktakuzë e cila është ngritur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Akuzat kundër Yusuf Ercin Sonmez përfshijnë trafikimin me njerëz, krimin e organizuar dhe ushtrimin e paligjshëm të veprimtarisë mjekësore.
Moshe Harel është akuzuar për trafikim të personave dhe krim të organizuar.
Këto shkelje pretendohet se janë kryer në vitin 2008 në klinikën Medicus në Prishtinë dhe kanë përfshirë shumë viktima prej shteteve të ndryshme.
Urdhërarrestet për këta dy të dyshuar janë lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ndërsa fletarrestet ndërkombëtare për ta janë lëshuar nga Interpoli.