Nesër shënohet Dita Botërore e Tuberkulozit
Prishtinë, 21 mars - Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Shoqata e pulmologëve të Kosovës, Fondi Global - me OJQ / KeA, nesë shënojnë Ditën Botërore të Tuberkulozit në të gjitha qendra rajonale të Kosovës : Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.
Shënimi kryesor i kësaj dite do të mbahet në Spitalin e Mushkërive në Pejë me temën: Të arriturat në kontrollin e tuberkulozit në Kosovë dhe sfidat e së ardhmes.
Përveç kësaj, në Spitalin e Mushkërive në Pejë do të mbahet edhe një konferencë për media ku do të marr pjesë: Ministri i Shëndetësisë, Koordinatori Nacional për Tuberkuloz, përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Fondit Global, OJQ-KEA, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Në Prishtinë, ndërkaq, para Pallatit të Rinisë dhe Teatrit Kombëtar, më 22. 03. 2013, duke filluar prej orës 12:00 deri në orën 14:00 do të barten pano të vendosura në trup ( njerëzit reklamë ) me porosi edukativo -shëndetësore të luftës kundër tuberkulozit.
Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë Botën, e po ashtu edhe në Kosovë është Thirrja për Aksion për të gjithë ata, që me kontributin e tyre do te përkrahin eliminimin e Tuberkulozit në Kosovë dhe në botë.