Nesër përurohet Klinika e rinovuar e Neurologjisë
Prishtinë, 24 mars - Nesër, në Klinikën e Neurologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), do të bëhet përurimi i rinovimit të kësaj Klinike, një projekt ky i financuar nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe partnerët e saj.
Në rinovimin e kësaj klinike Ministria e Shëndetësisë ka investuar 330. 000 euro, duke ngritur në nivelin më të lartë Kujdesin Intensiv.
Ministria e Minierave dhe Energjetikës ka kontribuar me 100.000 euro në ngrohjen solare të klinikës, ndërkohë që Postë-Telekomi i Kosovës (PTK) ka investuar 80.000 euro në pajisjen me inventar, ndersa Qendra Klinike Universitare e Kosovës ndërkaq, ka investuar 20 mijë euro në ndërrimin e tubacioneve.
Klinika e Neurologjisë numëron një staf prej 80 punëtorëve, prej të cilëve 19 janë mjekë specialistë dhe pjesa tjetër i takon stafit tjetër: mjekë, infermierë, teknikë, etj., dhe ajo ofron shërbime terciare shëndetësore nga lëmia e neurologjisë për pacientët.
Në ceremoninë e shënimit të përfundimit të punimeve në këtë klinikë, do të marrë pjesë Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, dhe autoritetet e tjera, të cilat krahas Ministrisë së Shëndetësisë kanë kontribuar që kjo klinikë tashmë të ketë një pamje dhe inventar të ri dhe sipas standardeve të larta mjekësore.