Nesër nis simpoziumi për migrimin dhe shëndetin
Prishtinë, 27 tetor - Në hapësirat e Qendrës së Telemjekësisë së Kosovës nesër në ora 9:30, fillon punimet simpoziumi kombëtar për migrimin, shëndetin dhe shëndetin mental, organizuar nga Programi Fogarty i Shëndetit Mental Global i Universitetit Illinoi në Çikago dhe Programi i Trajnimit për Hulumtim.
Ky program-trajnim është tre ditor dhe bashkë-sponsorizohet nga Universiteti Illinoi në Çikago, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Fakulteti i Mjekësisë dhe Departamenti i Psikologjisë, dhe Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ky program ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të ekspertëve kosovarë në fushën e hulumtimeve shkencore në lëmin e shëndetit publik që ka të bëjë me aspekte të ndërlidhura me problemet shëndetësore të qytetarëve kosovarë që jetojnë në diasporë dhe do të jetë trajnimi i parë në vazhdën e disa trajnimeve që do të pasojnë në kuadër të këtij programi.
Në mesin e temave që do të trajtohen do të jenë: Shëndeti mendor global dhe migrimi; metodat e hulumtimit në neuro-shkencë dhe sjellje; Metodat hulumtuese në epidemiologji; Ndikimi i migrimit tek fëmijët dhe familjet kosovare dhe Shqiptare; hulumtimet në ndikimin e migrimit në shëndetin mental dhe shëndetin fizik, etj.
Komiteti Organizativ në Kosovë përbëhet nga Isuf Dedushaj, Dashamir Bërxulli, Isme Humolli dhe Ferid Agani. Të ftuar janë të gjithë hulumtuesit shkencorë, politikë-bërësit, administratorët, klinicistët dhe edukatorët. Simpoziumi do të përmbajë ligjërata dhe punëtori për metodat e hulumtimit. Ligjëruesit nga SHBA do të jenë Stevan Weine, Rajiv Sharma dhe Daniel Hryhorczuk, Zana Vathi dhe profesionistë nga Kosova
Simpoziumi i fillon punimet të martën, më 28 tetor 2014 në ora 09:30 në Qendrën e Telemjekësisë të Kosovës (Kati 5 ndërtesa e Emergjencës në QKUK).