Nesër fillojnë Ditët e Infermierisë Familjare
Prishtinë, , 21 shtator - Me moton Ofrimi i cilësisë në shërbim të bashkësisë-Infermieria udhëheq kujdesin kronik nesër dhe pasnesër në Ferizaj do të zhvillohet takimi i pestë punues Ditët e Infermierisë Familjare, organizuar nga Qendra e Edukimit të Vazhdueshëm Infermierik (QEVI) në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ky takim tashmë tradicional, që do të mbahet në kuadër të planit të punës së QEVI-t, ka për qëllim ngritjen e cilësisë dhe arritjen e standardeve të përkujdesjes shëndetësore në Kujdesin parësor Shëndetësor dhe implementimin e njohurive dhe shkathtësive të infermierëve në komunitet.
QEVI synon arritjen e këtyre objektivave bazuar në Ligjin për Shëndetësi të Republikës së Kosovës dhe Udhëzimin Administrativ të Vazhdueshëm Profesional.
Në këtë takim punues, në hapje të cilit do të jenë edhe zyrtarët e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, marrin pjesë kryeinfermierët e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), koordinatorët mjekë dhe infermierë të Qendrave Trajnuese të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe trajnerë të infermierisë familjare.
Takimi ka për qëllim gjithashtu edhe zhvillimin e aftësive të infermierëve në edukimin modern, transferin e mirë të njohurive dhe shkathtësive të mësuara duke përdorur teorinë dhe praktikën dhe duke rritur vetëbesimin në lehtësimin e marrjes së vendimeve.
Takimi është dy ditor (22 dhe 23 shtator 2010)dhe do të mbahet në restorantin Ujëvara në Ferizaj, duke filluar nga ora 10:00.