Nënshkruhet nesër Memorandumi i bashkëpunimit Kosovë-Çeki
Prishtinë, 3 qershor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi do të pres nesër në Ministrinë e Shëndetësisë një delegacion të Republikës së Çekisë, të kryesuar nga Ambasadorja e këtij shteti në Kosovë, znj. Janina Hrebickova.
Në këtë takim, do të nënshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë në fushën e shëndetësisë.
Memorandumi parasheh fushat e ndërsjella të bashkëpunimit midis dy shteteve në shëndetësi dhe është kurorëzim i bashkëpunimit të frytshëm deri tani midis Kosovës e Çekisë.
Republika e Çekisë është një nga kontribuesit e dalluar në shëndetësinë kosovare dhe gjatë dy viteve të fundit, ajo ka ndihmuar me asistencë në ngritjen e kapaciteteve fizike e profesionale dhe infrastrukturës shëndetësore me rreth dy milionë euro, e po ashtu edhe në fushën e edukimit të vazhduar profesional të kuadrit shëndetësor kosovarë.