Në QKUK, Klinikën e Kardiologjisë, bëhet stentimi i trungut komun të pambrojtur

Prishtinë, 10 dhjetor - Në Klinikën e Kardiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga data 7-10 dhjetor, ka qëndruar në një vizitë pune, Kardiologu i njohur, kryemjek i kardiologjisë invazive në Spitalin e Luzernit, Dr.Florim Cuculi.
Përveç ligjëratave, trajtimit të pacientëve me patologji komplekse për këto tre ditë, sot ekipi i kardiologjisë invazive në QKUK, nën mbikëqyrjen e dr.Cuculit, bëri një nga ndërhyrjet më komplekse në fushën e Kardiologjisë Invazive, stentimi i trungut komun të pambrojtur, i cili është i ngushtuar në masë kritike (pothuajse i mbyllur), duke shpëtuar drejtpërdrejt jetën e të sëmurit, A.A, 60 vjeç. Një trajtim i tillë invaziv bëhet vetëm në qendrat e njohura të kardiologjisë invazive në botë.
Në këtë Klinikë është shumëfishuar numri i të gjitha procedurave invazive kardiologjike, duke përfshirë edhe trajtimin me sukses të infarktit të miokardit, i cili nuk ishte bërë më herët.
Me ardhjen në ndihmë të kësaj Klinike, të Profesor Shpend Elezit dhe Dr.Arton Beqirit, si dhe me punën e pakursyer të kardiologëve tjerë invazivë të kësaj Klinike, kryhen mesatarisht rreth 10 procedura invazive në ditë, duke ulur ndjeshëm radhën në listën e pritjes, si dhe duke trajtuar edhe infarktet akute që referohen në këtë Klinikë.