Në Prizren hapet qendra informuese Klasat për Nënat
Prizren, 31 maj - Sot, në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas, tani të ri-emëruara si Klasat për Nënat edhe në Prizren, në Qendrën Kryesore të Mjekësise Familjare (QKMF) - iniciativë kjo e bërë e mundshme falë bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Prizrenit, Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, QKMF-së dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.
Dr. Mehmedali Gashi, drejtor i QKMF-së shprehu knaqesinë për hapjen e Klasës për Nënat dhe tha qëshëndeti i nënave dhe fëmijëve është prioritet i qendrës dhe si staf janë të angazhuar të punojnë në këtë drejtim. Ai u zotua që hapja e kësaj qendre do të kontribojë drejtëpërdrejtë në shëndetin e nënave dhe fëmijëve në komunën e Prizrenit.
Ndërsa Drejtoresha e Departamnetit të Shëndetesise dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Prizrenit, Dr. Shpresa Goqaj, shprehu falenderimin për Aksionin për Nëna dhe Fëmijë për mbështetjen dhe uroi që ky të jetë një fillim i mbarë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beha, deklaroi se themelimi i Qendrës Klasat për Nënat në Prizren shënon pikën e 7-të, apo komunën e 6-të që inkuadron programin edukativ si pjesë të shërbimit ditor për shëndetin e nënës dhe fëmijës. Klasat për Nënat në Prizren do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe atyre psiqike për gratë si dhe partnerët e tyre, aktivitete këto të zhvilluara në një ambient interaktiv modern e me shumë ngjyra.
Gjatë muajit mars të këtij viti u hap qendra në komunën e Kaçanikut, ndërsa vitin e kaluar u hapën zyrtarisht edhe qendrat në Shterpcë e Mitrovicë, ndërkaq një vit më parë në Prishtinë e Ferizaj. Aksioni për Nëna dhe Fëmijë synon të zgjerojë qendrat e tilla informuese për gratë shtatzëna dhe partnerët e tyre edhe në komuna të tjera të Kosovës që të ndihmojë në ngritjen e edukimit shëndetësor në vend në kuadër të nivelit primar shëndetësor.
Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Komunës së Prizrenit. Hapja e qendrës sot u mundësua falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja Të Vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët në Kosovë dhe Meet Us Halfway në Nju Jork.