Në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK filloi dhurimi vullnetar i gjakut
Prishtinë, 26 korrik - Me aktivitetin koordinues të Departamentit të Mjekësisë, në kuadër të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), sot në Ministri të Mbrojtjes filloi dhurimi vullnetar i gjakut.
Personeli i Ministrisë, si ai civil dhe ushtarak çdo herë ju kanë përgjigjur pa hezitim këtij aksioni, të vetëdijshëm se dhurimi i gjakut do të thotë të shpëtosh një jetë, të ndihmohen pacientët në nevojë të Republikës së Kosovës.
Sigurisht se ky aksion në kohën e pandemisë që po kalon edhe vendi jonë, merr një rëndësi edhe ma të madhe sepse dhurimi gjakut nga çdo vullnetar, është një akt i dobishëm dhe fisnik.
Edhe pse në vlugun e pushimeve vjetore dhe fazës së vaksinimit të personelit, në ditën e parë të aksionit u grumbulluan doza të konsiderueshme të gjakut, që nga punëtoret e QKKTGJ-së u shpreh kënaqësi dhe vlerësim i lartë për gatishmërinë e treguar.
Aksioni i dhurimit vullnetar të gjakut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim nëpër të gjitha kazermat e FSK-së.
Aksioni vullnetar i dhurimit të gjakut është aktivitet i planifikuar në Ministri dhe FSK dhe mbahet dy herë në vit.
Por jo vetëm kaq, pjesëtarët e FSK-së kanë qenë çdo herë të gatshëm që t’u përgjigjen kërkesave të QKKTGJ-së edhe për nevojat sporadike të rasteve më të posaçme.