Në Kosovë konfirmohen edhe 129 raste me koronavirus
Prishtinë, 15 qershor - Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 385 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren nga te cilat me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 129 raste.
Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 46 (sipas vendbanimit: 45 raste Prishtinë dhe 1 rast Hajvali), komuna e Prizrenit 18 raste (sipas vendbanimit: 15 raste Prizren, 1 rast Mazrek, 1 rast Reçan dhe 1 rast Romajë), komuna e Vushtrrisë 15 raste (sipas vendbanimit: 10 raste Vushtrri, 3 raste Akrashticë, 1 rast Begaj dhe 1 rast Maxhunaj), komuna e Rahovecit 9 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Rahovec dhe 1 rast Ratkoc), komuna e Pejës 8 raste (sipas vendbanimit: 7 raste Pejë dhe 1 rast Buqan), komuna e Vitisë 6 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Skifteraj, 1 rast Pozharan, 1 rast Zhiti dhe 1 rast Sllatinë e epërme), komuna e Gjakovës 6 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Rogovë, 1 rast Gjakovë dhe 1 rast Mejë), komuna e Lipjanit 5 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Lipjan dhe 1 rast Rufc i ri), komuna e Drenasit 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Sankoc dhe 1 rast Fushticë e poshtme), komuna e Fushë Kosovës 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Fushë Kosovë), komuna e Ferizajit 2 raste (sipas vendbanimit: 1 rast Komogllavë dhe 1 rast Ferizaj) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Kmetovc-Gjilan, Glloboçicë-Dragash, Kaçanik, Mogillë-Kllokot, Mamushë, Milloshevë-Obiliq, Likoc-Skenderaj, Maqitevë-Suharekë.
"Në javën e fundit kemi shfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private", thekson IKSHPK.
Sot po ashtu janë shëruar 10 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 963 raste.
Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, IKSHPK ka gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.
"Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!", thekson IKSHPK.
Këto ditë sipas IKSHPK-se vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.
Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.
Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore kur ata rezultojnë pozitiv në SARS CoV-2, por qytetarët duhet ta marrin seriozisht apelin tonë për t’i zbatuar me përpikëri rekomandimet dhe bartjen e maskave në vende ku ka grumbuj njerëzish dhe nuk mund të mbahet distanca nën 2 m.
IKSHPK apelon te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.
Duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime shëndetësore, bëjmë apel te punëtorët shëndetësor t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit.
Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda.
Këta numra të këtyre ditëve flasin shumëçka. Këta numra tregojnë përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit, si dhe drejt mbingarkimit pastaj të institucioneve shëndetësore, gjegjësisht të Klinikës Infektive ku fatkeqësisht personat me sëmundje shoqëruese dhe të moshuarit mund të përfundojnë fatalisht.
Kjo ndodhë për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve, për shkak të përfshirjes pastaj të njerëzve të moshave të ndjeshme të moshuara, për shkak të përfshirjes së njerëzve me sëmundje kronike të cilët nuk janë të mbrojtur, sepse fatkeqësisht për këtë sëmundje ende nuk ka terapi dhe parandalim me vaksinë dhe e vetmja mundësi e parandalimit është përmbajtja e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 15 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 8.063.013 raste të COVID-19 dhe 437.176 raste të vdekjes.