29 Dhjetor 2024

Në Kosovë bie vdekshmëria perinatale e foshnjave

Prishtinë, 30 qershor - Bazuar në të dhënat nga  institucionet shëndetësore të Kosovës, në vitin 2014 në Kosovë janë raportuar gjithsej 26.565 lindje me 27.013 të porsalindur, ndërsa vdekshmëria perinatale ka shënuar rënie në 11.99 promila apo shprehur ndryshe për rreth 4 promila më e vogël se vitin 2013, apo për 25 për qind më e vogël se në vitin paraprak.

Rënie e vdekshmërisë perinatale  sipas të dhënave të prezantuara, ka shënuar rënie të vazhdueshme nga viti në vit, pasi që në vitin 2000, shkalla e vdekshmërisë perinatale në Kosovë ka qenë 29.1‰ (promila), në vitin 2012 ishte 17.34‰, nё vitin 2013 ishte 16.26‰,  ndёrsa nё vitin 2014 ёshtё 11.99‰.

Këto të dhëna u bënë publike sot në takimin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë për të prezantuar të dhënat e fundit të gjendjes perinatale për vitin 2014, mbështetur nga Projekti i përbashkët UNFPA-UNICEF-OBSH në partneritet me MSh-në dhe Qeverinë e Luksemburgut .

Në këtë takim, zyrtarë të MSh, IKSHPK-së, institucioneve shëndetësore, profesionistë në lëmin e shëndetit të nënës, fëmijës, OBSH-së, UNICEF-it, UNFPA-së dhe OJQ-të kanë diskutuar për prioritetet dhe adresimin e problemeve drejtë pёrmirёsimit tё shëndetit tё nёnave dhe fёmijёve në Kosovë.

Në këtë takim, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se përkushtimi për shëndetin e mirë të nënave dhe të fёmijёve paraqet prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë të cilin në dokumentet e MSh-së dhe politikat strategjike shëndetësore është definuar si përkushtim për fillim të shëndetshëm të jetës.

\"Ky përkushtim reflektohet si vizion për shpëtimin e jetëve, si dhe ruajtjen e përmirësimin e shëndetit dhe kualitetit të jetës dhe mirëqenies për nënat dhe foshnjat e tyre\" .

Ai tha se gëzon fakti se të gjeturat nga raporti tregojnë se ka një përmirësim të ndjeshëm të shifrave që lidhen me shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe në veçanti me vdekshmërinë perinatale që tregon se Kosova po i arrin shtetet e rajonit dhe synim mbetet arritja e standardeve me shtetet e Bashkimit Evropian dhe meritat për këtë i kanë profesionistët shëndetësor.

“Duke i njohur këto fakte dhe të gjeturat e raportit, MSh ka vënë si prioritet të saj punën e vazhdueshme në këtë fushë  dhe synon zhvillimin e shërbimeve cilësore shëndetësore, me qasje të lehtë, për nëna dhe fëmijë; si dhe qasje bashkëkohore të bazuar në të dhëna ndaj shëndetit riprodhues, që do rezultojnë me përmirësimin e statusit shëndetësor tё këtyre grupeve të ndjeshme tё popullatës si dhe ngritjen e kualitetit të jetës së tyre\", tha Ministri Rrahmani.

Ai theksoi se suksesi varet nga pjesëmarrja aktive dhe kontributi i të gjithë akterëve, që nga vendimmarrësit, institucionet zbatuese e deri te familja, derisa raporti i prezantuar do të jetë një pasqyrë e gjendjes reale të indikatorëve në fushën e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë në emër të UN Agjensioneve tha se pas shumë viteve sfiduese, sot mund të thuhet se numri i vdekjeve të foshnjave dhe nënave është zvogëluar dhe ky është edhe si rezultat i përkushtimit dhe punës së profesionistëve shëndetësor të gjitha niveleve, pavarësisht se ata gjatë punës së tyre janë ballafaquar me kushte jo të volitshme.

“Ende vdesin foshnja, por jemi në trend që ta arrijmë rajonin dhe pastaj edhe vendet e BE-së dhe më këtë drejtim, OBSH, UNFPA dhe UNICEF-i, me përkrahjen financiare edhe të Qeverisë së Luksemburgut do ta mbështesin MSh-në dhe institucionet shëndetësore në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe foshnjave në Kosovë”, tha dr. Syla.

Në këtë takim, profesionistë të fushës përkatëse kanë dhënë kontributin e tyre duke adresuar sfidat që kanë të bëjnë me përmirësimin e indikatorëve të shëndetit të nënës dhe fëmijës në Kosovë.

Përndryshe, Raporti i gjendjes perinatale në Kosovë 2014 që është prezantuar nga dr. Merita Vuthaj, shefe e Divizionit të Shëndetit të Nënës dhe fëmijës në MSh, tregon ndër të tjera se numri i lindjeve në Kosovë ka ardhur duke u zvogëluar prej viti në vit, nga 39091 në vitin 2000, në 26.565 lindje në vitin 2014; mё tepёr se njё e katёrta (27%) e tё gjitha lindjeve janё realizuar me prerje cezariane; nga gjithsej 27,013 të porsalindur në vitin 2014, institucionet shëndetësore publike kanë raportuar gjithsej 361 foshnje të vdekura (të lindur të vdekur dhe vdekje të  porsalindurve deri në 28 ditë), gjë që paraqet 139 vdekje më pak krahasuar me vitin 2013; dhe se për vitin 2014 nuk është raportuar asnjë rast i vdekshmërisë maternale nga institucionet shëndetësore.

Në këtë takim, janë dhënë edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejmë të indikatorëvë të shëndetit të nënës dhe fëmijës, bazuar në të dhënat a prezantuara, ku kërkohet fuqizimi i edukimit të vazhduar profesional, përmirësimi i infrastrukturës në institucionet shëndetësore, sigurimi i resurseve humane, fuqizimi i qasjes multidisplinare midis obstetërve, mamive, neonatologëve dhe infermierëve të neonatologjisë duke përfshirë edhe anesteziologun, hartimi i udhërrëfyesve dhe protokolleve mjekësore, të fuqizohen shërbimet shëndetësore për nëna dhe fëmijë në KPSh, përmes implementimit të plotë të konceptit të mjekësisë familjare, përfshirë vizitat shtëpiake, etj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)