Në Drenas po shkurtohet buxheti për shëndetësinë
Prishtinë, 17 qershor - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Drenas ka theksuar se rishqyrtimi i buxhetit nga Kuvendi Komunal i Drenasit ka rezultuar me transferimin e dhjetë mijë eurove nga kategoria e shpenzimeve për mallra dhe shërbime të destinuara për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në kategorinë e shpenzimeve për shërbime komunale.
Ky vendim i Kuvendit Komunal për zvogëlimin e buxhetit të QKMF-së në kohën kur kjo qendër mjekësore po ballafaqohet me mungesën e theksuar të aparaturës, barërave esenciale, si dhe materialit shpenzues, padyshim që sipas Vetëvendosjes është privim i qëllimshëm i qytetarëve nga përkujdesja mjekësore primare.
Komuna e Drenasit duke e shkurtuar buxhetin për sektorin e shëndetësisë po tregohet e papërgjegjshme karshi kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve për përmirësimin e kushteve dhe rritjen e cilësisë në shëndetësi.
Sikur të ishte prioritet për Komunën tonë shëndeti publik, ajo do të ndante më shumë buxhet për shëndetësinë. Edhe atë pak buxhet që e kishte shëndetësia, Komuna ia mori me arsyetimin se po i duhen për veten e saj. Tani QKMF-ja nuk ka mundësi që të pajiset me aparatet shumë të domosdoshme të oksigjeno-terapisë, ultrazërit, analizave biokimike, si dhe të inhalim - terapisë.
Zyrtarët komunal do ta përdorin buxhetin që ia kanë marrë QKMF-së për ta rritur edhe më shumë luksin e tyre. Nuk është hera e parë që Komuna jonë del në raportet e organizatave qe monitorojnë punën e saj, si një ndër komunat që keqpërdor më se shumti buxhetin duke u thirr në nevoja të ndryshme për mallra dhe shërbime. Sa më i madhe që po bëhet luksi i pushtetarëve, aq më e vogël po bëhet mundësia që qytetarët të jenë përfitues të shërbimeve shëndetësore dhe sociale.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Drenas kërkon nga Kuvendi Komunal i Drenasit që në një afat sa më të shkurtër kohor të ia rikthej buxhetin Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Përveç kësaj, në kërkojmë që të rritet buxheti për shëndetësinë në Komunën tonë, në mënyrë që QKMF-ja, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Ambulancat të kenë mundësi të afrojnë shërbime kualitative, ashtu siç i obligon ligji për shëndetësinë.