Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Duhanit, një duhanpirës më pak
Prishtinë, 29 maj - Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Duhanit, në kuadër të projektit të përbashkët të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Drejtorisë së Arsimit për edukimin dhe promovimin e shëndetit, në shkollën Model u mbajt një ligjëratë me qëllim të sensibilizimit të nxënësve të klasave të VIII ta për dëmet që sjell konsumimi i duhanit, rreziqet dhe pasojat që shkakton duhanpirja jo vetëm tek ata që e konsumojnë atë, por edhe tek njerëzit që ndodhen në ambiente në të cilat konsumohet duhani.
Qëllimi kryesor ishte që përmes kësaj ligjëratë që të informohen dhe paralajmërohen fëmijët pasi që mosha e adoleshencës konsiderohet si mosha më kritike sa i përket fillimit të konsumimit të duhanit.
Të pranishëm ishin drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia dhe menaxhmenti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, duke përfshirë edhe Komitetin për Promovimin e Shëbndetit pranë kësaj qendre.
Në këtë ligjëratë interaktive, u fol edhe për përvojat personale të duhanpirësve, ku ndër të tjera, edhe vetë drejtori Arben Vitia tregoi përvojën e tij dhe foli për pasojat e konsumimit të duhanit, jo vetëm tek duhanpirësi por edhe në ambientet familjare dhe shoqërore.
Unë sot kur flas para jush lidhur me pasojat që sjell duhanpirja, më duhet të jem i sinqertë dhe korrekt që të pranojë se edhe vetë jam duhanpirës. Ndonëse edhe vet jam me profesion mjek dhe jam plotësisht i vetëdijshëm për pasojat që sjell duhanpirja, kjo dëshmon se sa i rrezikshëm është ky fenomen dhe se sa e rëndësishme është që të mos fillohet, paraprakisht të informohemi për dëmet që i shkakton ai. Moshat më të rrezikuara kryesisht janë moshat e reja.\"
\"Pra, shumë njerëz e fillojnë konsumimin e duhani pa qenë të vetëdijshëm për pasojat të cilat i sjellë ai. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me mua. Sot në tërë botën vdesin më shumë njerëz nga duhanpirja sesa nga aksidentet në trafik. Mendohet që në çdo 10 sekonda një person vdes si pasojë direkte ose indirekte e dëmeve që i shkakton duhani. Sot ekzistojnë shumë më tepër informacione për dëmet që shkakton duhanpirja. Po ashtu, nuk mungojnë as shembuj të njerëzve që e kanë ndërprerë konsumimin e duhanit pasi që kanë filluar ti ndjejnë ato pasoja që i shkakton duhani, e aq më keq shembullin e keq që e japin ata tek gjeneratat e reja.\"
Drejtori Vitia në përfundim të kësaj ligjërate tha se duke qenë i vetëdijshëm për shembullin e keq që ka mund ta jep deri më tani si konsumues i duhanit, mirëpo edhe për shkak të rreziqeve dhe pasojave që sjellë duhanprirja, ai bëri një zotim publik para nxënësve.
Nuk kam gjetur audiencë dhe rast më të mirë që të premtojë publikisht se nga sot nuk do ta konsumojë më duhanin, tha Vitia.
Nxënësit bënë shumë pyetje dhe u shprehën shumë interesim me këtë ligjëratë interaktive, ndërsa u deklaruan se janë të kënaqur se në Ditën Ndërkombëtare të Duhanit, do të ketë një konsumues të duhanit më pak.
Dita Ndërkombëtare Kundër Duhanit është shpallur nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe mbahet çdo datë 31 maj, që prej vitit 1987, ku vendet anëtare të OBSH-së, u përpoqën të sensibilizojnë opinionin mbi dëmet dhe rreziqet e duhanit dhe të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit.