Ndryshimi i klimës është emergjencë mjekësore
Ky takim pason raportin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-së të hënën, ku analizohen përfitimet shëndetësore dhe ekonomike nga pakësimi i çlirmit të gazrave të dëmshëm.
Zbulime të ngjashme janë bërë edhe nga Komisioni Lancet mbi Shëndetin dhe Klimën, një grup i pavarur kërkimor ndërkombëtar.
Ndikimi i ndryshimeve klimatike është aq i madh sa mund të dëmtojë përfitimet e arritura 50 vitet e fundit në shëndetin global, sipas raportit të Komisionit Lancet.
Moti ekstrem i keqësuar edhe më shumë nga ndryshimi i klimës mund të jetë katastrofik dhe i papranueshëm, thotë udhëheqësi i projektit të Komisionit, Nicolas Watts, i cili foli për Zërin e Amerikës përmes Skypit.
\"Në kushtet e thatësirës, shpesh shohim ulje të prodhimit bujqësor, që ka një ndikim të thellë në kequshqyerje, veçanërisht për fëmijët. Në kohn e përmbytjeve, shpesh shohim një shtim të sëmundjeve infektive, si kolera dhe diarrea, që ndodhin si pasojë e këqësimit të kushteve sanitare.\"
Dhe, gjithnjë e më shumë, është nxehtësia, e cila mund të jetë vdekjeprurëse. Një valë e të nxehtit ekstrem në vitin 2003 la 70.000 njerëz të vdekur në të gjithë Evropën.
Dhe me kalimin e kohës pritet të rritet intensiteti i këtyre ngjarjeve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se nëse nuk merren masa të mëdha për të pakësuar emetimet e ngrohjes globale deri në vitin 2030, rreth 250,000 njerëz do të vdesin çdo vit nga efektet e ndryshimit të klimës. Ndotja e ajrit në natyrë është e lidhur me rreth tre milionë vdekje në mbarë botën, 1.2 milionë vetëm në Kinë.
Dr. Watts thotë se një kalim nga qymyri në energji të ripërtëritshme mund ta zvogëlojë këtë rrezik.
\"Ne shohim rënie të menjëhershme të shtrimeve në spital dhe në shpenzimet e kujdesit shëndetësor, që redukton barrën e tanishme të buxheteve shëndetësore. Por ka edhe përfitime të tjera. Nëse ulim varësinë nga mjetet motorike dhe përdorim biçikletat dhe ecjen për të reduktuar çlirimin e karbonit ne mund të ulim edhe nivelet e diabetit dhe mbipeshës.\"
Mes rekomandimeve, Komisioni mbështet uljen e veprimtarisë në termocentralet me qymyr, zgjerimin e energjisë së rinovueshme, investimet në sistemet shëndetësore dhe një angazhim për një traktat të fuqishëm global mbi klimën. Dr. Watts thotë se shëndeti publik është në thelbin e një marrëveshjeje të re globale.
\"Shumica e asaj që doni të bëni për t\'iu përgjigjur ndryshimeve klimatike është e mirë për shëndetin publik dhe në fakt kjo është për një të ardhme shumë më të mirë.\"
Profesionistët e kujdesit shëndetësor mund të jenë avokatë në luftën kundër ndryshimeve klimatike, dr. Watts thotë: \"Çfarë është e mirë për planetin, është e mirë për kujdesin e pacientit.\"