Ndahen certifikatat e kursit për Shërbime Emergjente Mjekësore
Prishtinë, 29 prill - Organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) - Zyra në Prishtinë, sot në mjediset e IKSHP-së në Prishtinë, u mbajt Ceremonia e dorëzimit të eertifikatave për pjesëmarrësit e kursit Personi i Parë në Vendngjarje.
Kursi Personi i Parë në Vendngjarje është një nga aktivitetet e organizuara me qëllim të avancimit të aftësive të profesionistëve shëndetësore të nivelit të Kujdesit Parësor Shëndetësor për ofrimin e Shërbimeve Emergjente Mjekësore, në kuadër të përpjekjeve për ngritjen e kapaciteteve vendore në fushën e shëndetësisë.
Në ceremoninë e ndarjes së këtyre certifikatave, kanë marrë pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, Ilir Tolaj dhe shefi i Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Skënder Syla, të cilët duke i përgëzuar pjesëmarrësit për mbarimin e këtij kursi, kanë kërkuar nga ata që njohuritë e fituara ti implementojnë gjatë punës së përditshme me personat që kanë nevojë për shërbime emergjente mjekësore.
Në kuadër të këtij kursi 6 javor janë trajnuar 17 përfaqësues të Kujdesit Parësor Shëndetësor nga 16 Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare anekënd Kosovës, duke përfshirë QKMF- Gjakovë,,QKMF -Deçan, QKMF- Prizren, QKMF -Suharekë, QKMF- Kamenicë, QKMF -Gjilan, QKMF- Dragash, QKMF -Ferizaj, QKMF -Viti, QKMF Pejë, QKMF Klinë, QKMF- Skënderaj, QKMF -Mitrovicë, QKMF- Vushtrri, QKMF Lipjan dhe Ndihmën e Shpejtë- Prishtinë.
Gjithashtu, pëveç kësaj, 5 të përzgjedhur nga ky grup ( duke përfshirë edhe 4 pjesëtarë të Batalionit të Mjekësisë nga FSK-ja), janë trajnuar edhe dy javë si trajnerë kombëtarë të kursit FPoS (First Person on Scene).