Mungesa e spitalit të Prishtinës hendikep për qytetarët e kryeqytetit
Prishtinë, 11 prill - Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja për Bashkim Aurora Bakalli në Kuvendin e Kosovës ka ngritur çështjen e mungesës se Spitalit të qytetit të Prishtinës.
Mungesa e spitalit të qytetit të Prishtinës, në radhë të parë sipas saj është hendikep për qytetarët e kryeqytetit.
Bakalli ka thënë së prishtinasit për shërbime sekondare shëndetësore janë të detyruar të drejtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku duhet të hyjnë në radhë me të gjithë qytetarët e Kosovës që janë udhëzuar për shërbime terciare.
Në këtë mënyrë qytetarët e Prishtinës sipas saj nuk e kanë privilegjin dhe komoditetin e pranimit të shërbimeve sekondare spitalore në Spitalin e qytetit të tyre, i cili sigurisht nuk do të ishte I ngarkuar ashtu siç është aktualisht QKUK.
Nga ana tjetër, spitali i qytetit të Prishtinës do të ndikonte në zvogëlimin e radhëve të gjata të pritjes si dhe listat e pritjes në QKUK.
Bakali ka theksuar se rëndësia e dytë e funksionalizimit të spitalit të qytetit të Prishtinës qëndron në faktin se do të bënte që QKUK-ja të merrej vërtet me shërbimet terciare shëndetësore për çka edhe është e dedikuar, e që sot për sot nuk është në nivelin e pritur, pa dyshim edhe për faktin e mungesës së një qendre për ofrimin e shërbimeve sekondare në Prishtinë.
\"Unë thellësisht besoj se prania dhe funksionalizimi i spitalit të qytetit do të ndikonte në shkarkimin e QKUK-së nga barra sasiore e kjo domosdoshmërisht do të ndikonte në ofrimin e shërbimeve shëndetësore më cilësore dhe më të sofistikuara në vetë QKUK, pra të ofrohen vërtetë shërbime të nivelit terciar\", ka pohuar ajo.
Dimensioni i tretë i rëndësisë së këtij spitali sipas Bakallit do të ishte edhe punësimi i specialistëve të rinj.
Aktualisht QKUK është e vetmja qendër ku synojnë dhe shpresojnë të punësohen specialistët, e posaçërisht ata që janë qytetarë të Prishtinës.
\"Me keqardhje më duhet të konkludoj se QKUK po shndërrohet në një qendër sociale të mbipopulluar që ka për qëllim të akomodojë specialistët e mjekësisë që kanë investuar vite të gjata shkollimi, por me oferta shumë të vogla për vende të punës, e që të vetmen shpresë për punësim e shohin në QKUK-në e mbipopulluar me mjekë\", vlërsoi deputetja Bakalli.
Në Buxhetin e vitit 2011 tek investimet kapitale të Ministrisë së Shëndetësisë parashihej që investimet për Spitalin e Prishtinës të fillonin në vitin 2012 me rreth 1 milion e 130 mijë Euro dhe të vazhdonin në vitin 2013 me rreth 2 milion e 130 mijë Euro. Pra, gjithsej parashihej të investoheshin rreth 3 milion e 260 mijë Euro.
Ndërkaq, në Buxhetin e vitit 2012, pikërisht në vitin kur është dashur të fillohej me investimet për Spitalin e qytetit të Prishtinës, kjo rubrikë është hequr nga tabelat. Kjo gjë ndodhi heshturazi, pa u komentuar fare.
Të nderuar deputetë, është koha e fundit që Prishtina të ketë Spital të qytetit.