23 Dhjetor 2024

MSh promovoi Strategjinë Kombëtare për tuberkuloz 2012-2016

Prishtinë, 23 mars - Me rastin e 24 marsit-Ditës Botërore të tuberkulozit, sot në Prishtinë, Ministria e Shëndetësisë promovoi Strategjinë Kombëtare dhe Planin e veprimit për tuberkuloz 2012-2016, me përkrahjen e  Zyrës së OBSh-së në Kosovë dhe partnerëve të tjerë.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani , tha se ky është një dokument strategjik që së bashku me planin e veprimit paraqet një dokument të sigurt për zhvillimin e aktiviteteve sistematike për ballafaqimin me sëmundjen e tuberkulozit.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë do të angazhohet për zbatimin e këtij dokumenti, ndërsa e vlerësoi si fakt shumë inkurajues zvogëlimin për 74 raste më pak të numrit të prekurve nga tuberkulozi në Kosovë.

“Është ky një rast i mirë që të rekapitulojmë atë që është bërë në vitin e kaluar në ballafaqimin me këtë sëmundje e cila para disa dekadave e ka paraqit një barrë të rëndë dhe të papërballueshme për shëndetësinë tonë, ndërsa sot është duke u shndërruar në një problem shëndetësor i cili me një qasje gjithëpërfshirëse të përbashkët është e mundur që të menaxhohet ”, ka thënë ai

Ministri Agani tërhoqi vërejtjen se tuberkulozi do të jetë edhe më tej një problem që do ta rëndojë realitetin kosovar dhe nga institucionet ndërkombëtare dhe OBSh është cilësuar si kërcënim madhor i shëndetit publik, e sidomos rastet rezistente në terapinë antituberkulare.

Dr. Skënder Syla, shef i zyrës së OBSH-së në Kosovë, ka theksuar faktin se tuberkulozi edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet kërcënim serioz për shëndetin publik global. Sipas tij, nga tuberkulozi çdo vit në botë vdesin 1.5 milion njerëz, apo rreth 3800 persona në ditë, por ai tregon se as rajoni i Evropës nuk bën përjashtim në këtë aspekt, pasi që përllogaritjet tregojnë se çdo vit regjistrohen rreth 418 mijë raste të reja të tuberkulozit dhe rreth 60 mijë vdekje në Evropë.

“Një problem kërcënues dhe problem serioz për shëndetin publik këtyre viteve të fundit paraqesin format e tuberkulozit rezistent në trajtim dhe atyre formave skajshmërisht rezistente në trajtim. Kjo vjen si pasojë e kapaciteteve kufizuese të vendeve anëtare në diagnostikimin të hershëm të këtyre rasteve”,  tha dr. Syla.

Dr. Naser Ramadani, drejtor I IKSHP-së, tha se me rastin e Ditës Botërore të TB-së, Instituti ka organizuar aktivitete të ndryshme për vetëdijesimin e qytetarëve në luftën kundër kësaj sëmundjeje dhe edukimin shëndetësisë, me theks të veçantë në parandalim dhe zhvillimin e shërbimeve diagnostikuese.

Dr. Rukije Mehmeti, menaxhere kombëtare për TB, prezantoi një raport lidhur me situatën epidemiologjike sa i përket TB-së në Kosovë.

Ajo tha se gjatë vitit 2011 në Kosovë janë regjistruar 846 raste me tuberkuloz apo 42 të sëmurë në 100 mijë banorë. Sipas saj, kjo tregon për një rënie të tuberkulozit krahasuar me vitet 2000.

Me rastin e promovimit të Strategjisë u kërkua që ajo të implementohet sipas objektivave dhe aktiviteteve të parapara në të. 

“Format konkrete të strategjisë janë që të përmbushen kërkesat e Rezolutës së Mijëvjeçarit që do të thotë se deri në vitin 2016, nga 44 incidenca e tuberkulozit të zbret në 33. Ne jemi në rrugëtim të drejtë për zvogëlimin e saj dhe njëkohësisht rezultatet e mjekimit të jenë mbi 85 për qind që ne i kemi mbi 90 për qind”, tha Mehmeti.

Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse që përhapet përmes ajrit, nga i sëmuri te personi i shëndoshë përmes pështymës, teshtitjes dhe kollitjes.

Shenjat e paraqitjes së tuberkulozit janë plogështia dhe zbehja, humbja e oreksit, temperatura, djersitja gjatë natës, kollitja mbi tri javë dhe këlbaza me shenja të gjakut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)