MSH promovoi planin e veprimit për rezistencën antimikrobike
Prishtinë, 7 prill - Me rastin e 7 Prillit-Ditës Botërore të Shëndetit, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, promovoi sot Strategjinë dhe Planin e Veprimit për rezistencën antimikrobike 2011-2015.
Promovimi i kësaj strategjie u bë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, para zyrtarëve më të lartë të MSh-së, IKSHP-së, Zyrës së OBSh-së në Kosovë, UNICEF-it, përfaqësuesve të organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare dhe profesionistëve shëndetësorë.
Duke zgjedhur si temë të ditës: Rezistenca antimikrobike: nëse nuk veprojmë sot, nesër nuk do të ketë shërim, në këtë promovim, u tha se vlerësohet se në secilin vit, vetëm në Bashkimin Evropian mbi 25.000 njerëz vdesin nga infeksionet bakterore të shkaktuara nga bakteret rezistente, shumica prej tyre të fituara në spitale, ndërsa qëllimet themelore të Strategjisë për rezistencën antimikrobike, të promovuar sot në Kosovë, janë ulja e sëmundshëmërisë dhe vdekshmërisë nga infeksionet e shkaktuara nga mikrobe rezistenet ndaj terapisë antimikrobike dhe ruajtja e efikasitetit të veprimit të antimikrobikëve në mjekimin dhe parandalimin e infeksioneve mikrobile tek njerëzit dhe tek kafshët.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani, tha se tema e infeksioneve brenda spitalore kë një rëndësi të veçantë për secilin prej nesh dhe kë të bëjë me ato infeksione që në momente të caktuara i bëjnë të edhe vet profesionistët të pafuqishëm, pasi që bëhet fjalë për mikrobe rezistente ndaj antibioterapisë dhe që i neutralizojnë edhe antibiotikët më të fortë që ekzistojnë.
Ministria, theksoi ai, po merret me probleme madhore reformuese që kanë të bëjnë me krijimin e pozitës më të mirë për punonjësit shëndetësor dhe ofrimin e shërbimeve më të mira shëndetësore në vendin tonë dhe një temë e tillë duket jashtë kësaj kornize reformuese politike, por prezenca jonë këtu, tregon se krahas reformës si proces, jemi të përkushtuar për tu marrë edhe me problematika të këtilla.
Ministri Agani tha se ka qenë rasti konkret i profesorit të ndjerë Riza Binishi, tek i cili në Gjermani është raportuar nga mjekët atje të jetë izoluar një mikrob rezistent (NDM-1), që ka ndërruar jetë kohë më parë në Gjermani, ajo që e kishte nxitur që ti qaset edhe më fort kësaj problematike dhe nga kjo të kuptohet se Kosova nuk i ka ende kapacitetet laboratorike për zbulimin e shumë baktereve rezistente në antibioterapi.
Ministri tha se me qëllim të forcimit të këtyre kapaciteteve, ka kërkuar edhe ndihmën e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, një ekip i ekspertëve i së cilës qendër do të vijnë prej 17-21 prill në Kosovë si dhe do të miratohet shpejt Udhëzimi Administrativ që mundësojnë zbatimin operativ të shumë pjesëve të Strategjisë, duke krijuar mundësinë edhe për ngritjen e kapaciteteve laboratorike-diagnostikuese dhe terapeutike.
Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se Strategjia dhe Plani i veprimit për rezistencën antimikrobike 2011-2015 hap rrugën për aktivitete që janë të nevojshme për kontrollin dhe parandalimin e rezistencës antimikrobike, ndërsa IKSHP do ti ofrojë në dispozicion të zbatimit të kësaj strategjie, të gjitha kapacitetet e veta diagnostikuese.
Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se rezistenca antimikrobike është ende në rritje në Evropë.
Trajtimi më i mirë është përdorimi i drejtë i antibiotikëve, tha ai, duke shtuar se mjekët dhe shkencëtarët në gjithë rajonin druajnë se me përdorimin e pamatur të antimikrobikëve, që rezulton në zhvillimin dhe përhapjen e infeksioneve rezistente në antimikrobikë, ne do të kthehemi në epokën e para-antimikrobikëve, ku infeksionet e thjeshta nuk do të kenë trajtim si dhe operacionet dhe intervenimet rutinore mund të rrezikojnë jetën.
Syla tha se Strategjia e promovuar krijon mundësi për një qasje gjithëpërfshirëse në ballafaqimin me infeksionet brenda spitalore, ndërsa OBSH u bën thirrje politikë- bërësve, që të luajnë rol të rëndësishëm në trajtimin meritor të rezistencës antimikrobike, duke investuar në parandalimin e tyre.
Strategjia e promovuar është prezantuar nga dr. Lul Raka, kryesues i Grupit punues të MSH-së për hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për rezistencën antimikrobike.
Organizimi dhe promovimi i kësaj strategjie është bërë nga MSh-ja, përkrahur nga OBSH--Zyra në Prishtinë, përmes fondeve të Qeverisë së Luksemburgut, derisa në hartimin e saj, ka ndihmuar edhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Qeveria e Italisë.