MSh: Nuk rrezikohet vaksinimi i rregullt i fëmijëve në Kosovë
Prishtinë 3 mars - Lidhur me disa informata në media rreth furnizimit me vaksina nga Programi i Zgjeruar i Imunizimit, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të informojë opinionin se, përveç një mungese të shkurtër të vaksinës Pantavax që është e kontraktuar dhe në proces të sigurimit, dhe që nuk e çrregullon orarin vjetor të vaksinimit të fëmijëve, ekzistojnë të gjitha llojet e vaksinave të tjera nga Programi i Zgjeruar i Imunizimit në Kosovë.
Planifikimi i ardhjes së vaksinave bëhet në bazë të nevojave dhe sasive të vaksinave në stok.
Duke e njohur rëndësinë e madhe të vaksinimit, MSh ka deponuar mjetet e nevojshme për sigurimin e vaksinave për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 qysh në fund të vitit të kaluar dhe pjesa tjetër e mjeteve për të mbuluar tërë vitin 2016 me vaksina është deponuar para një muaji.
Mungesa e shkurtër e vaksinës Pentavax, sipas ekspertëve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nuk paraqet problem, sepse fëmijëve kosovarë nuk u rrezikohet vaksinimi i rregullt sipas orarit vjetor ( me që flitet për vaksina që merren brenda vitit kalendarik), dhe jo si vaksina sezonale.
MSH dhe IKSHP njoftojnë se ekipet e vaksinimit, jo vetëm tani, por në vazhdimësi, kur prindërit nuk i sjellin fëmijët për vaksinim, i thërrasin ata në telefon për tua përkujtuar orarin e vaksinimit të rregullt të fëmijëve të tyre, ndërkohë që janë shumë të kënaqura që vërehet një vetëdijesim kaq i lartë nga ana e prindërve për vaksinimin e fëmijëve, që ka rezultuar me shkallë të lartë të vaksinimit të fëmijëve në Kosovë.