MSH nënshkroi Marrëveshje bashkëpunimi me Caritas Kosova
Prishtinë, 27 qershor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani dhe drejtori gjeneral i Caritas Kosova, Don Viktor Sopi nënshkruan sot Marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të MSH-së dhe kësaj organizate.
Marrëveshja e nënshkruar ka të bëjë me implementimin e përbashkët të projektit për Trajtim Mjekësor jashtë vendit për pacientët kosovarë të cilët kanë nevojë për shërbime mjekësore të cilat nuk mund të realizohen në institucionet shëndetësore në Republikën e Kosovës.
Sipas kësaj marrëveshje, MSh do të ndihmojë në vit me 39.500 euro Caritas-in për të mbështetur aktivitetet humanitare që kanë të bëjnë me gjetjen e donatorëve dhe mjekimin e pacientëve kosovarë, kryesisht fëmijëve, me sëmundje të rënda jashtë vendit.
Ministri Agani tha se Marrëveshja tregon përkushtimin e MSh-së për bashkëpunim me shoqërinë civile me qëllim që të sigurohen shërbime për pacientët kosovarë, ndërkohë që Ministria është duke punuar që në vend të ofrohen edhe ato shërbime që deri tash nuk kanë mundur të ofrohen.
MSh do të mbështes fuqimisht çdo iniciativë humanitare që i kontribuon rritjes së mirëqenies dhe shëndetit të popullatës, tha Ministri Agani.
Nga ana e tij, Don Viktor Sopi, shprehu falënderimin e tij për gatishmërinë e MSh-së që të nënshkruajë këtë marrëveshje bashkëpunimi.
Caritas Kosova që është pjesë e Caritasit evropian nuk mund të bëjë asgjë pa mbështetjen edhe të institucioneve. Në këtë aspekt, Ministri Agani ka treguar një ndjeshmëri të madhe për tiu përgjigjur iniciativës dhe për ti ndihmuar pacientët në nevojë, theksoi ai.