MSh nënshkroi kontrata me spitale për ofrimin e shërbimeve shëndetësore
Prishtinë, 25 janar - Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës nënshkroi sot kontratat për ofrimin dhe pagesën e shërbimeve klinike /spitalore për tre -mujorin e parë 2013 me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale.
Sipas këtyre kontratave, QKUK dhe spitalet rajonale do të ofrojnë shërbime të pakos themelore të shërbimeve klinike/spitalore të nivelit dytësor dhe tretësor shëndetësor të kujdesit shëndetësor për popullatën, në pajtueshmëri me Ligjin për Shëndetësi, sipas çmimeve të përcaktuara nga ana e Ministria e Shëndetësisë, ndërsa përveç buxhetit të rregullt, ato, tash e tutje, do të paguhen edhe për performancë.
Për ofrimin e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve të përcaktuara me këtë kontratë, klinika/spitali do të marr alokimin e rregullt buxhetor dhe pagesën për performancë, në bazë të një rregulloreje të cilën Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë si paraardhës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore do ta zbatojë.
Ministri i Shëndetësisë, prof. dr. Ferid Agani, tha me rastin e nënshkrimit të këtyre kontratave se spitalet publike do ta kenë alokimin e tyre buxhetor të rregullt bazuar në buxhetin për këtë vit, ndërsa ato do ta marrin pagesën për performancë, duke u bazuar në përmbushjen e indikatorëve të performancës.
Mjetet që këto institucione publike shëndetësore do ti marrin për performancë, do të mund ti përdorin për punësimin e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor, stimulimin e kuadrit të vet profesional, përmirësimin e kushteve të punës, përmirësimin e higjienës dhe ngritjen e kualitetit të shërbimeve shëndetësore.
Ministri Agani theksoi se me pagesat për performancë, institucionet shëndetësore në Kosovë stimulohen për herë të parë në historinë e tyre për punën që do ta bëjnë.
Ai tha se institucionet shëndetësore publike në kuadër të reformës shëndetësore do të përkrahen që të jenë sa më të fuqishme, ndërsa MSh-ja do të jetë në funksion të fuqizimit të sektorit publik, duke krijuar mundësi për konkurrencë të shëndoshë e të barabartë si dhe bashkëpunim me sektorin privat.
Kontratat e nënshkruara sot midis MSh-së me QKUK dhe spitalet rajonale shprehin synimin e qartë të MSh-së për zbatimin e reformave në shëndetësi.