Msh me punëtori mbi monitorimin e ekzekutimit të buxhetit

Prishtinë, 11 nëntor - Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë-Departamenti për Shërbime të përgjithshme dhe Financa sot në Qendrën e Telemjekësisë të Kosovës , u mbajt punëtoria me temën: Trajnimi mbi monitorimin e ekzekutimit të buxhetit dhe reformat e vazhdueshme të sektorit shëndetësor.
Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës Ferid Agani foli për rëndësinë që ka ndarja e buxhetit në shërbimin shëndetësor dhe delegimi i kompetencave menaxheriale nga Ministria e Shëndetësisë tek Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, të cilit shërbim do ti ndahet buxheti drejtpërdrejt nga Ministria e Financave.
Ai ka vlerësuar se në procesin e reformave shëndetësore, sidomos me hyrjen në fuqi të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, planifikimet e sakta janë jetike për sistemin shëndetësor.
Ministri ka kërkuar përgjegjësi të lartë nga menaxherët e institucioneve shëndetësore në menaxhimin e financave publike, duke marrë në konsideratë edhe zhvillimet e reja dhe reformën, që do të hap një kapitull të ri për shëndetësinë kosovare.
Në këtë punëtori me pjesëmarrje të drejtuesve të Bordit të SHSKUK-së, drejtuesve të klinikave të këtij shërbimi dhe spitaleve të përgjithshme dhe menaxherëve të programeve financiare u diskutua edhe për implementimin e Sistemit të Sigurimit Shëndetësor, për fazat e implementimit të këtyre sigurimeve, etj.