MSH me plan për shërbimet në Spitalin e Mitrovicës
Prishtinë, 2 prill - Me qëllim të funksionalizimit të shërbimeve shëndetësore për Spitalin Rajonal të Mitrovicës, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale janë dakorduar për një plan operativ me të cilin gjatë tre mujorit të ardhshëm duke filluar nga prilli, Spitali i Mitrovicës do të ndihmohet me kuadrin profesional të këtyre qendrave për lëmin e kirurgjisë dhe të anesteziologjisë.
Përmes një shkrese zyrtare, UD. i Sekretarit të Përgjithshëm të MSh-së. Dr. Gani Shabani u ka kërkuar QKUK-së dhe spitaleve rajonale, sipas një dakordimi të arritur në takimin e datës 28 mars 2013 në Ministrinë e Shëndetësisë, që ta dërgojnë kuadrin e vet profesional për të mbuluar nevojat kadrovike me mjek specialist nga lëmi i kirurgjisë dhe anesteziologjisë për nevojat e SR të Mitrovicës nga data 1 prill, për tre muaj me radhë, deri në një vendim tjetër.
Sipas planit të dakorduar, SR i Prizrenit do të mbulojë dy ditë në javë kujdestarinë (e hënë dhe e martë) me mjekët anesteziologë (nga ora 07:00-deri në 07:00 të ditës së nesërme, 24 orë); Spitali Rajonal i Gjakovës do të mbulojë një ditë jave kujdestarinë (e mërkurë 07:00-07:00, 24 orë); Spitali i Ferizajt do të mbulojë një ditë në javë kujdestarinë (e enjte 08:00-08:00, 24 orë); Spitali i Gjilanit do ta mbulojë kujdestarinë ditën e premte (duke filluar nga data 26.04. 2013, 08:00 -08:00, 24 orë), QKUK do të mbulojë një ditë në javë kujdestarinë 24 orë (e shtunë 07:00-07:00), dhe Spitali i Vushtrrisë, do të mbulojë kujdestarinë 24 orë (të dielave) me mjekun anesteziolog (nga ora 08:00-08:00 të ditës së nesërme).
Ndërkaq, për sigurimin e shërbimeve kirurgjike të kujdestarisë do të përkujdeset kuadri profesional nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Ministria është dakordurduar me drejtorët e këtyre spitaleve për të gjitha procedurat lidhur me zbatimin e orarit për mbulimin me shërbim mjekësor të Spitalit të Mitrovicës.