MSh lanson Sistemin e Integruar te Informimit Shëndetësor

Prishtinë, 23 qershor - Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe me përkrahjen e Qeverisë së Luksemburgut përmes projektit mbështetës për shëndetësinë KSV 017, sot në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës u bë lansimi i Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor (SISH) për regjionin pilot të Prishtinës, përkatësisht për këtë klinikë, që është institucioni i parë prej 68 institucioneve të përfshira ku SISH-i do të pilotohet për fillim.
Në ceremoninë e lansimit të këtij projekti, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, tha se ky është një projekt që po fillon i përkrahur nga partnerët zhvillimorë dhe shumë i rëndësishëm për reformën shëndetësore dhe zhvillimin e saj.
Ministri Rrahmani tha se implementimi i SISH-it do të jetë një proces mjaft sfidues për Ministrinë e Shëndetësisë, por, ky institucion dhe Qeveria e vendit e kanë vendosur si prioritet atë dhe do të bëjnë çmos që përmes ndërtimit dhe funksionalizimit të këtij sistemi shumë të nevojshëm, të përmirësojnë cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe sigurinë e tyre, përmirësimin e infrastrukturës së Informimit shëndetësore dhe lehtësimin e vendim-marrjes, të bazuar në të dhëna faktike.
Një prezantim lidhur me zhvillimet e deritanishëm me Sistemin e Informimit Shëndetësor, sfidat dhe vizionin për të ardhmen e ka prezantuar drejtori i Departamentit të Sistemit të Informimit Shëndetësor në MSh, dr. Xhevat Ukaj.
Ai ka thënë se MSh ka arritur të ngre dhe funksionalizojë Qendrën operative për SISH, interkoneksionin, ngritjen e qendrave të trajnimit në Prishtinë (2), Prizren (2), Thjerandë 1, funksionalizimin/menaxhimin e HP Card dhe të ngre kapacitetet harduerike për Data Qendrën Kombëtare.
Gjithashtu, ai ka njoftuar se regjionet pilot të SISH-it mbulojnë Komunën e Prishtinës dhe të Prizrenit dhe në këtë proces, 5040 punonjës të institucioneve shëndetësore të këtyre dy komunave janë trajnuar dhe janë në proces të trajnimit për implementimin e Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor.
Dr. Ukaj ka thënë se deri tash janë zhvilluar edhe disa ueb aplikacione si ai për evidencat shëndetësore; menaxhimin e resurseve shëndetësore; stokut farmaceutik; aplikacioni për nevoja të Inspektoratit Shëndetësor, etj.
Në takimin që i parapriu inaugurimit të SISH në Pediatri që u mbajt në në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës, po ashtu u bë e ditur se për financimin e komponentit harduerike MSh ka kontribuar me 489.067 euro, ndërsa Qeveria e Luksemburgut me 1.053.129 euro.
Ndërkaq, dr. Ibrahim Çunaku, përfaqësues i Konsorciumit VAMED që është implementues i Softuerit të Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor, ka bërë një prezantim lidhur me përfitimet që i sjell për sektorin shëndetësor implementimi i këtij sistemi.
Më pas, pjesëmarrësit e kësaj ceremonie kanë vizituar në Klinikën e Pediatrisë , ku ka startuar së pari Sistemi i Integruar i Informimit Shëndetësor, si qendër e parë në vend që pilotohet ky projekt.