MSH konfirmon 8 vdekje dhe 2279 raste me koronavirus
Prishtinë, 21 gusht - Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar sot se gjatë 24 orëve të fundit, tetë persona kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19.
Po ashtu brenda 24 orëve janë konfirmuar 2 mijë e 279 raste të reja të të prekurve nga virusi, që është dita me numrin më të madh të të infektuarve gjatë këtij viti.
Infektimet janë shtrirë gjithandej Kosovës dhe shifrat e ditëve të fundit e bëjnë gushtin një nga periudhat më të rënda që nga shpërthimi i pandemisë.
Që nga 1 gushti deri më sot janë konfirmuar mbi 19 mijë raste të reja.
Për katër ditë me radhë mbi 2 mijë persona janë konfirmuar të infektuar ndërkaq është rritur edhe numri i atyre që kanë humbur jetën. Gjatë këtij muaji janë regjistruar 49 vdekje nga pasojat e COVID-19.
Rritja e hovshme e numrit të infektimeve po sfidon edhe mundësitë e sistemit shëndetësor të vendit. Para një muaji në spitalet që trajtojnë rastet me COVID-19 në Kosovë ishin të shtrirë 82 të infektuar, ndërkaq sot sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar në këto spitale janë të shtrirë 653 pacientë të konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve 26 në gjendje të rëndë shëndetësore.