MSH investon mbi 1 milion euro në QKUK
Prishtinë, 10 prill - Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka ndarë 1 milion e 240 mijë euro për investime kapitale në Qendrën Klinike Universitare . Ministri i shëndetësisë , Ferid Agani, paralajmëron se disa projekte do të mund të realizohen me ndihmën e investitorëve të huaj.
Ndërkaq Grupi Axhi Baden, nga Turqia shpreh interesim për Institutin e Onkologjisë.
Pjesa më e madhe e fondit të ndarë për QKUK-në , i dedikohet Ortopedisë, Pediatrisë dhe Institutit të Onkologjisë. Investimet kryesisht do të jenë në aparaturë mjekësore, inventarë dhe renovime të reparteve.
Ndonëse buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë nuk mundëson realizimin e projekteve të shërbimeve të cilat i mungojnë shëndetësisë publike, ministri Ferid Agani shpreson që me ndihmën e donatorëve këto shërbime të jenë në funksion të qytetarëve.
Donacionet do të tentojmë ti sigurojmë. Veçanërisht jemi të fokusuar në themelimin e marrëdhënieve të partneritetit publiko-privat, d.m.th investimeve të huaja në sektorin publik edhe për investitorin e jashtëm edhe për shërbime publike.
Në këtë aspekt jemi në bisedime shumë serioze me një grup nga Turqia Axhi Baden dhe unë i kam motivuar ata që të investojnë në dy sektorë në Onkologji dhe kardio-kirurgji , ata kanë ardh këtu dhe më pas më kanë lajmëruar se janë të interesuar për onkologji, tha ai.
Kardio-kirurgjia dhe Onkologjia , janë dy projekte ende të papërfunduara. Ushtruesi i detyrës së QKUK-së, Lulëzim Emini duke folur për këto projekte tha për Radio Kosovën se punët në infrastrukturë të cilat i kanë takuar institucionit që ai drejton tashmë janë kryer.
Ministria e Shëndetësisë këtë vit i ka ndarë Qendrës Klinike Universitare 1.2 milion euro për investime, ndërkohë që rreth 4 milion euro është kosto e investimeve për të gjitha spitalet në Kosovë brenda vitit 2011.
/rtk/