MSh i jep mbështetje Programit për Tuberkuloz
Prishtinë, 17 dhjetor - Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, sot, në Prishtinë u mbajt takim pune lidhur me implementimin e rekomandimeve kryesore të rishqyrtimit të Programit Kosovar për Tuberkuloz (TB).
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani tha se Kosova është duke kaluar nëpër fazën e tranzicionit social, politik dhe kulturor, dhe si pasojë e varfërisë së shprehur, buxhetit të ulët për shëndetësi dhe reformës aktuale në shëndetësi, tuberkulozi mbetet problem i shëndetit publik në Kosovë.
Por, shtoi ai, përkundër buxhetit të ulët, MSH-ja është përkushtuar që të mbështesë kontrollin e TB.
Duke e vlerësuar punën e bërë të ekipit, Agani tha se është shumë e rëndësishme që gjatë implementimit të këtij programi, të ketë mbështetje të vazhdueshme nga ekspertët ndërkombëtarë.
Ai, i siguroi të pranishmit se MSH- ja do të ofrojë mundësitë, që përfundimet e këtij raporti të funksionojnë në ngritjen e nivelit të cilësisë, në ofrimin e trajtimit mjekësor të tuberkulozit.
Ndërkaq, Dr. Skender Syla, Shef i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, e bëri një rezyme të shkurtër të Draftit final të Programit Kosovar për TB dhe shtoi se është përgjegjësi e zyrtarëve gjegjës që rekomandimet e dhëna në këtë draft të realizohen në praktikë.
Në këtë takim, Draftit final Shqyrtimi i Programit të Tuberkulozit në Kosovë, i përgatitur nga ekspertë ndërkombëtar dhe vendorë u prezantuar nga Dr. Jaan Veen, bartës i hartimit të këtij drafti.
Gjithashtu, nga MSH-ja u prezantuan veprimet e ndërmarra nga Programi Kosovar për TB, që nga realizimi i rishqyrtimit.
Pas këtyre prezantimeve u diskutuan mundësitë për implementimin e Programit të TB-së dhe rekomandimet e rishikimit, duke u bazuar në implikimet afatshkurtra dhe afatgjata të reformës në sektorin e shëndetësisë.