MSh diskuton sfidat dhe avancimin e shëndetësisë me austriakë
Prishtinë, 21 maj - Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me A-IHCN (Austrian Integrated Health Care Netëork) sot në Prishtinë u organizua tryeza e rrumbullakët Kosova-Austrian Health Roundtable me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve shëndetësore austriake dhe kosovare në shëndetësi.
Në këtë tryezë pjesëmarrës kanë qenë menaxherët më të lartë të sistemit shëndetësor në Kosovë si dhe ekspertë të Rrjetit të Integruar Austriak të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa në hapje të tryezës ka qenë edhe Ambasadori i Austrisë në Kosovës, z. Johan Brieger.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se ndërtimi i një sistemi shëndetësor efikas, të mbështetur në resurse të qëndrueshme njerëzore dhe me një financim adekuat të qëndrueshëm, që siguron qasje të barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët me kosto efektive shëndetësore, është synimi i Qeverisë së Kosovës në këtë mandat.
MSh në këtë fazë gjendet në një fazë të rëndësishme të zbatimit të reformës së sistemit shëndetësor, e cila reformë do të konsistojë në funksionalizimin më të mirë të sistemit shëndetësor, ngritjen e efikasitetit të institucioneve shëndetësore në të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastrukturës së hapësirave dhe mjeteve të funksionimit, funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore si dhe zhvillimin e kapaciteteve menaxheriale në kuptim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies së strukturave menaxheriale, tha ministri Rrahmani.
Themelimi dhe funksionalizimi i Fondit Publik të Sigurimeve Shëndetësore, funksionalizimi i departamentit të kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë, furnizimi i rregullt me material të nevojshëm shpenzues mjekësor i këtyre departamenteve, implementimi i Sistemit të Informimit Shëndetësor (SISH), fuqizimi dhe përmirësimi i sektorit farmaceutik..., theksoi më tej Ministri, janë vetëm disa nga prioritetet kryesore të qeverisë në fushën e shëndetësisë, në të cilat fusha do të punohet me tërë kapacitetet financiare dhe resurset humane që MSh ka në dispozicion.
Normalisht, se në këtë rrugë të zbatimit të reformës shëndetësore, MSh ka nevojë edhe për mbështetje në ekspertizën dhe përvojën e vendeve evropiane, veçmas kur kemi parasysh synimin e Kosovës për tu anëtarësuar në BE. Ky takim i sotëm me temat e përzgjedhura për këtë tryezë diskutimi, besoj se do ti kontribuojnë këtij synimi të MSh, tha ministri Rrahmani.
Ambasadori austriak në Kosovë, Johan Brieger, ka vlerësuar lart bashkëpunimin midis Kosovës e Austrisë në shumë fusha përfshirë edhe fushën e shëndetësisë dhe atë sociale, duke theksuar se falë këtij bashkëpunimi janë realizuar projekte të përbashkëta në fushën e edukimit të vazhduar profesional midis Gracit të Austrisë dhe QKUK-së, projekte për kujdesin dhe mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve, në ngritjen e kapaciteteve shëndetësore, projekte për personat me aftësi të kufizuara.
\"Hapat e ardhshëm të bashkëpunimit, tha Ambasadori Brieger, duhet të na ndihmojnë për të marrë drejtimin e duhur dhe një rol kritik për sfidat dhe krijimin e një lidershipi të qëndrueshëm në avancimin e shëndetësisë.
Sekretari i Përgjithshëm në MSh. Gani Shabani, tha se tryezat e këtilla u shërbejnë ngritjes së kapaciteteve dhe marrjes së përvojave prej të tjerëve me qëllim që ato të implementohen edhe në shëndetësinë kosovare.
Tema të kësaj tryeze kanë qenë të fokusuara në financimin e sistemit shëndetësor, rimbursimet, matser planet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, sistemet e prokurimit në sektorin farmaceutik dhe të tjera.
Në këtë tryezë, nga pala austriake me kontributin e tyre e kanë dhënë ekspertët si Gerhard Knor, Michael Hummer, Johan Seethaler, Elisabeth Canpestini, etj.
Në fund të tryezës do të nxirren edhe rekomandimet për të ngritur nivelin e performancës në fushat e trajtuara në tryezë.
Në kuadër të bashkëpunimit të mëtejmë kosovaro-austriak, planifikohet që në shtator të organizohet Dita e Shëndetësore Kosovaro-Austriake.