MSh dhe UNICEF-i nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi
Prishtinë, 29 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës dr. Imet Rrahmani dhe Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Laila Omar Gad, nënshkruan sot Marrëveshje bashkëpunimi midis MSH-së dhe UNICEF-it për përfshirjen e shërbimeve të vizitave shtëpiake në Sistemin e Mjekësisë Familjare.
Qëllimi i kësaj Marrëveshje të Bashkëpunimit është fuqizimi i bashkëpunimit midis MSh-së dhe UNICEF-it për ti përfshirë shërbimet e vizitave shtëpiake në sistemin e mjekësisë familjare si mënyrë për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe mirëqenies së fëmijëve në Kosovë.
Vizitat në shtëpi për kujdesin për nëna dhe fëmijë konsiderohet si qasje më e prekshme që ofron mbështetje vendimtare dhe ngritje të kapaciteteve për familjet, kujdestarët dhe ofruesit e shërbimeve në nivele lokale; dhe janë dizajnuar për ti lidhur ato me shëndetin, arsimimin dhe shërbimet sociale në komunitet me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së fëmijëve dhe shëndetit të nënës.
Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes, Ministri Rrahmani tha se Ligji për Shëndetësi garanton qasjen e barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët, ndërsa nënshkrimi i Marrëveshjes tregon përkushtimin që shërbimi shëndetësor tu ofrohet edhe atyre që nuk kanë mundësi ti frekuentojnë institucionet shëndetësore për marrjen e shërbimeve shëndetësore.
Ai ka falënderuar UNICEF-in për bashkëpunim në këtë fushë, duke theksuar se kjo do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Laila Omar Gad tha se ofrimi shërbimeve shëndetësore përmes vizitave shtëpiake bën që sistemi i Mjekësisë Familjare të ndihet edhe më afër nga qytetarët, ndërsa shërbimet shëndetësore përmes vizitave të këtilla u mundësojnë qytetarëve që të marrin shërbime shëndetësore cilësore.
Ajo tha se UNICEF-i do të vazhdojë që në bashkëpunim me Ministrinë dhe partnerët e tjerë të adresojë çështjet që lidhen me shëndetin e nënës dhe fëmijës me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe sigurimit të mirëqenies më të mirë.
Me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes u tha se Ministria e Shëndetësisë dhe agjencitë e partnerët tjerë do të vazhdojnë ta mbështesin përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor dhe shëndetit publik, në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë.
UNICEF-i ndërkaq, e ka futur qasjen e vizitave shtëpiake si pjesë të pakos që është duke u zbatuar dhe koordinuar në mënyrë efektive në bashkëpunim me të gjithë partnerët dhe donatorët për zhvillim në mbështetje të procesit të vazhdueshëm të reformës shëndetësore.