MSh dhe UNICEF-i diskutojnë bashkëpunimin strategjik
Prishtinë, 21 tetor - Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të UNICEF-it, Zyra në Kosovë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, IKSHP-së, profesionistë shëndetësorë të shëndetit të nënës e fëmijës, ekspertë të shëndetësisë publike, përfaqësues të agjencioneve qeveritare dhe të organizatave jo qeveritare, kanë marrë pjesë sot në një mbledhje planifikuese në Prishtinë për të diskutuar bashkëpunimin strategjik në mes të MSH-së dhe UNICEF-it për periudhën 2011-2015.
Ky takim pune kishte për qëllim që të qartësojë veprimet konkrete, në të cilat UNICEF-i gjatë periudhës në vazhdim, do ti asistojë Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me partnerët e tjerë strategjik, për të përkrahur qasjen e njëjtë për kujdesin shëndetësor për të gjitha komunitetet në Kosovë, dhe për të fuqizuar përkujdesjen, sidomos për grupet që konsiderohen si më të varfra dhe më të margjinalizuara.
Luciano Calestini, zëvendës-shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, ka shpalosur planin e veprimit të UNICEF-it në Kosovë 2011-2015, duke fokusuar dy fusha kryesore në të cilat do të ofrohet asistenca si: Shëndeti i Nënës dhe Fëmijës dhe Shëndeti Publik. Ai ka theksuar se rëndësi e veçantë do tu kushtohet edhe aktiviteteve për ngritjen e imunizimit te komunitetet që janë më të marxhinalizuara, ndërkohë që ka thënë se duhet të bëhet e qartë në çdo plan veprimi domosdoja e zbatimit të Ligjit për Duhanin.
Dr. Curr Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSh, ka thënë se MSH, në partneritet të ngushtë me partnerët do të bëjë veprimet e nevojshme për zbatimin e Strategjisë Sektoriale Shëndetësore (2010-2015), ndërsa e ka vlerësuar si inkurajues faktin që nivelet e larta qeveritare kanë dhënë zotimin se përfundimisht shëndetësia do të trajtohet si prioritet dhe do ti jepet kujdesi i merituar edhe në aspektin e financimit të saj.
Pas punës edhe në grupe, janë dhënë edhe rekomandimet për zbatimin e partneritetet në bashkëpunimin strategjik MSH-UNICEF.