MSh dhe QKUK, plan për funksionalizimin kardiologjisë invazive
Prishtinë, 26 mars - Ministri i Shëndetësisë Dr. Ferid Agani dhe Sekretari i Përgjithshëm Dr. Gani Shabani biseduan sot me drejtorin ekzekutiv të QKUK-së, Dr. Njazi Gashi, U. D. të drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë Bedri Zaiti dhe shefat e reparteve të kësaj klinike çështjen e funksionalizimit të plotë të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK dhe sigurimit të shërbimeve 24 orëshe, shtatë ditë në javë, për pacientët me sëmundje akute koronare.
Në këtë takim u analizuan edhe dobësitë e shfaqura deri tash dhe u dakordua Plani i veprimit, që duke filluar nga 1 maji shërbimet nga kardiologjia invazive të jenë në dispozicion të plotë për qytetarët e vendit, që duke pasur parasysh edhe shërbimet kardio-kirurgjike që kanë filluar të ofrohen në QKUK, do të nënkuptojnë një ngritje të dukshme në cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët për sëmundjet e zemrës.