MSh dhe Project Hope vazhdojnë bashkëpunimin në shëndetësi
Prishtinë, 25 prill - Përfaqësues të Fondacionit amerikan Project Hope dhe të Shoqatës Abbvie u pritën sot në Ministrinë e Shëndetësisë nga Zëvendësministri i Shëndetësisë dr. Izet Sadiku, bashkë me drejtorin e SHSKUK-së, dr. Curr Gjocaj dhe shefin e Agjensionit të Financimit të Shëndetësiëë dr. Arsim Qavdarbasha.
Në këtë takim, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Shoqatës së Fibrozës Cistike dhe klinicistë që merren me trajtimin e kësaj sëmundje në Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së, u diskutua për bashkëpunimin me Projec Hope, si njërën prej organizatave që ka dhënë kontribut të madh në shëndetësinë kosovare në mbështetjen me donacione, kryesisht me citostatikë dhe pajisje mjekësore, së fundi edhe barna për trajtimin e fibrozës cistike.
Zëvendësministri Izet Sadiku ka falënderuar Project Hope për kontributin e vazhduar në shëndetësinë kosovare dhe vazhdimin e traditës së mirë të bashkëpunimit që për rezultat ka pasur sigurimin e terapisë së vlefshme për pacientët kosovarë.
Curr Gjocaj, drejtor i SHSKUK-së, tha se bashkëpunimi me këtë fondacion e ka ndihmuar këtë shërbim në përmirësimin e trajtimit në disa fusha, ndërkohë që sigurimi i terapisë për pacientët me fibrozë cistike, do tua lehtësojë atyre trajtimin.
Dr. Burbuqe Krasniqi, drejtoreshë e Shoqatës së Fibrozës Cistike ka njoftuar se shoqata merret me aktivitete që lehtësojnë trajtimin e fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje, derisa ka falënderuar MSh-në dhe Project Hope që i kanë dalë në ndihmë shoqatës.
Dr. Vlatko Uzevski, përfaqësues për Rajon i Project Hope tha se në Fondacion janë të lumtur që programi mbështetës po shkon mirë dhe se po ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e trajtimit të pacientëve.
Znj. Ann Matz Tirado, përfaqësuese e Shoqatës Abbvie që merret me çështjen e fibrozës cistike, tha se partneriteti i treguar është shembulli më i mirë se si duhet të adresohen çështjet, ndërsa u shpreh se ndjehet e lumtur që përmes donacionit, kanë mundur ti ndihmojnë pacientët kosovarë në nevojë.