24 Dhjetor 2024

MSH dhe “Project Hope” nga SHBA vazhdojnë bashkëpunimin

Prishtinë, 25 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani me bashkëpunëtorë, priti sot në takim një delegacion të fondacionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Project Hope”, të kryesuar nga Presidenti dhe Kryeshefi Ekzekutiv i saj, dr.  John P. Howe.

Në këtë delegacion të “Projec Hope” ishin edhe drejtorët e lartë të fondacionit, Dr. Miriam Sianozova, drejtor rajonal për Evropë dhe Euro-azi;  Patricia Bacuros, drejtoresha për Zhvillim ,  Drejtori për Asistencë Humanitare i Programeve të Project Hope Scott Craëford dhe menaxherja regjionale për Evropë dhe Afrikë, Katerina Takovska.

Në këtë takim, Ministri Agani ka falënderuar drejtuesit më të lartë të Fondacionit “Project –Hope” për ndjeshmërinë që ata kanë treguar në raport me Kosovën, duke ndihmuar shëndetësinë dhe pacientët kosovarë me barna shumë të vlefshme dhe pajisje mjekësore.

Ministri Agani theksoi se “Project Hope” është kontribuues i jashtëzakonshëm në shëndetësinë kosovare, duke ndihmuar vetëm në tre vjetët e fundit pacientët kosovarë me barna në vlerë prej 23 milionë euro, vlerë kjo afërsisht sa buxheti vjetor për barna për të gjitha institucionet publike shëndetësore të Kosovës, që për vitin 2013 është 21 milionë euro.

Ministri, gjithashtu, i ka njoftuar drejtuesit e “Project-Hope” me reformën në sistemin shëndetësor,  që ka nisur me miratimin e Ligjit të ri të Shëndetësisë, Ligjit për Kontrollin e Duhanit, Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësor , ligjet e tjera në procedurë dhe me zhvillimin e shërbimeve të reja shëndetësore në vend, siç janë kardiokirurgjia, radioterapia, etj.

Ai ka theksuar nevojën që MSh dhe shëndetësia kosovare të mbështet edhe më tej nga “Project Hope”, duke pasur parasysh nevojat reale.

Presidenti i “Project-Hope”, dr. John P.Howe e ka vlerësuar lart bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe ka premtuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej, derisa falënderues për bashkëpunimin e mirë MSh-Project Hope  u shpreh edhe menaxherja rajonale dhe për Evropë e Afrikë e “Project Hope”, Katerina Takovska, që e spikati MSh-në si një shembull të mirë të bashkëpunimit.

Pas këtij takimi, drejtuesit e “Project- Hope” kanë vazhduar me takime me Presidenten e vendit, znj. Atifete Jahjaga dhe me një vizitë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)