MSh dhe OBSH shënuan Ditën Botërore të Shëndetit Mendor
Në këtë takim, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani , i cili ka qenë edhe iniciator i reformës së shëndetit mendor në Kosovë, tha se niveli i financimit për fushën e shëndetit mendor në Kosovë është shumë i ulët, ndërsa krahas këtij elementi, një dukuri tjetër që e vështirëson situatën, është stigmatizimi që në shoqërinë kosovare u bëhet të sëmurëve mendor, duke e vështirësuar në këtë formë trajtimin individual të kësaj kategorie, por edhe duke treguar kështu një standard të ulët të normave shoqërore.
Ministri tha se në eliminimin e kësaj dukurie duhet punuar që nga familja, institucionet dhe shoqëria, që me përkrahjen edhe të mediave, ky fenomen të çrrënjoset, pasi që kjo është një çështje bazike në të cilën duhet punuar çdo ditë.
Me gjithë vështirësitë, Ministri Agani theksoi se falë reformës së shëndetit mendor Kosova ka arritur rezultate shumë të mira në këtë fushë, madje është bërë shembull edhe i vendeve të rajonit në këtë fushë, dhe vendeve që kanë buxhet shumë herë më të madh se shëndetësia kosovare për shëndetin mendor.
Duke qenë vendi i vetëm në rajon që nuk ka Spital Psikiatrik, si formë e vjetruar e kujdesit për të sëmurët mendor, dhe që shërbimeve për të sëmurët mendor i ofron në komunitet, rezultatet janë më të mira se të shumë vendeve përreth që kanë financim shumë më të forta, tha ai.
Investimi në Shëndetin Mendor është investimi më i mirë në shëndetësi, theksoi Ministri Agani.
Skënder Syla, Shef i OBSh-së për Kosovë tha se investimi në shëndetin mendor në nivelin global është shumë i vogël, diku rreth 2 për qind në buxhetet e shteteve të ndryshme, e këtu përjashtim nuk bën as Kosova, ndërkohë që, theksoi ai, rreth 20 për qind të sëmundjeve janë barrë e sëmundjeve mendore.
Kjo diskrepancë kaq e madhe duhet të tejkalohet, ndërsa dita e sotme është një moment për të sensibilizuar sektorët e ndryshëm, sepse trajtimi i të sëmurëve mendor nuk është përgjegjësi e vetëm Ministrisë së Shëndetësisë, por edhe sektorëve të tjerë, tha Syla.
Ilir Tolaj, Sekretar i Përgjithshëm i MSh-së, tha se përkundër vështirësive buxhetore, reforma e shërbimeve psikiatrike e orientuar në komunitet duke vënë në qendër të vëmendjes klientin dhe familjen e tij duhet vazhduar. Një rëndësi të veçantë, tha ai, duhet kushtuar personave të riatdhesuar, sepse kjo është një komponentë e veçantë e monitorimit të Kosovës në procesin e liberalizmit të vizave por edhe të integrimit në BE.
Në këtë takim ka pasur debate e diskutime të ndryshme lidhur me integrimin e shërbimeve të shëndetit mendor si dhe është bërë promovimi i Udhëzuesit për intervenim-zbrazëtira të shëndetit mendor, nga OBSH.