MSH dhe OBSH shënojnë Ditën Botërore të Shëndetit
Prishtinë, 5 prill - Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe institucione të tjera shëndetësore sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike u shënua Dita Botërore e Shëndetit (7 Prilli).
Tema e caktuar shëndetësore për Ditën Botërore të Shëndetit, e cila trajton një çështje shqetësuese të shëndetit publik në të gjithë botën, për sivjet është zgjedhur presioni i lartë i gjakut dhe në këtë shënim, zyrtarët më të lartë shëndetësor të vendit, në këtë ditë kanë bërë thirrje për ndërgjegjësim më të madh lidhur me shkaktarët e presionit të lartë të gjakut dhe mënyrat e mbrojtjes.
Me që dita Botërore e Shëndetësisë, ka koinciduar me votimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani ka përgëzuar qytetarët dhe institucionet e Kosovës për miratimin e këtij ligji, që ka për synim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga duhan-pirja aktive dhe pasive dhe pasojat shkatërruese të duhanit..
Ligji i miratuar për Kontrollin e Duhanit do të paraqes një kontribut të drejtpërdrejt në mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe miratimi i tij paraqet një fitore qytetëruese të institucioneve , qytetarëve të Kosovës, shoqërisë civile dhe një ndryshim të mentalitetit nga e kaluara, tha Ministri Agani.
Me miratimin e këtij ligji, theksoi ai, ne dëshmuam si shoqëri, dhe si institucione se jemi në gjendje ti inkorporojmë standardet më të larta evropiane për të ndryshuar stilin e jetës që është në themel të politikave tona shëndetësore.
Kurse, duke iu referuar temës së Ditës Botërore të Shëndetit, Ministri Agani tha se MSH me institucionet e tjera shëndetësore i ka adresuar problemet më të mëdha që lidhen me hipertensionin me miratimin e Ligjit për Kontrollin e duhanit, fuqizimin e aspekteve parandaluese, kalimin e shërbimit të Kardiologjisë në Klinikë në kuadër të QKUK-së, fillimin e punës së kardiokirurgjisë dhe aktivitete të tjera, të cilat në të ardhmen do të zhvillohen përmes krijimit të koalicioneve për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
Dr. Skënder Syla, shef i OBSH-së në Kosovë tha se OBSH ka përzgjedhur shtypjen e lartë të gjakut si një temë për të shënuar sivjet Ditën Botërore të Shëndetit, duke ditur pasojat e rënda që sjell për shëndetin presioni i lartë i gjakut, nëse ai nuk kontrollohet.
Qëllimi final i Ditës Botërore të Shëndetit 2013 është të reduktojë araqet kardiake dhe goditjet , ndërsa objektivat specifike të fushatës janë : rritja e ndërgjegjësimit mbi shkaktarët dhe pasojat e hipertensionit arterial (HTA), sigurimi i informacioneve mbi mënyrën e parandalimit të HTA-së, inkurajimi i të rriturve or të kontrolluar presionin e tyre arterial, rritja e vet-kujdesit dhe nxitja e autoriteteve lokale dhe kombëtare për të krijuar mjedise mbështetëse për sjellje të shëndetshme.
Prof. Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se për periudhën kohore 2006-2011 sëmundjet kardiovaskulare janë ranguar si shkaku i parë i vdekjeve me 57.3 për qind të gjitha rasteve.
Ai ka folur edhe për aspektin e duhan-pirjes në Kosovë, ku sipas një hulumtimi 28.4 për qind të kosovarëve pinë duhan, derisa ka deklaruar rezultate shumë të mira sa i përket konsumimit të alkoolit në Kosovë që është në vlera të ulëta pasi që sipas një hulumtimi, 75.5 për qind e meshkujve dhe 93.1 për qind e femrave kanë deklaruar së nuk kanë përdorur alkool asnjëherë gjatë jetës së tyre.
Dr. Njazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK-së ka folur për fuqizimin e kapaciteteve diagnostiko dhe trajtuese në këtë qendër, duke përmendur funksionalizimin e plotë të radio-onkologjisë, hapjen e Kardiokirurgjisë, Emergjencave Pediatrike dhe shërbimeve të tjera.
Në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit, ku përveç institucioneve zyrtare prezantuan edhe përfaqësues nga shoqëria civile: KADC, Klubi i Ambasadorëve të vegjël, Asociacioni i të Drejtave të Pacientëve në Kosovë etj.
Kardiologu Bedri Sahiti ka shpjeguar në mënyrë specifike hipertensionin arterial, ndërsa është bërë thirrje e përgjithshme që kujdesi për mbajtjen nën kontroll të HTA-së të rritet, derisa përfaqësues të IKSHP-së, OBSH-së, UNICEF-it dhe pjesëmarrësit e tjerë kanë përgëzuar qytetarët e Kosovës për Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe kanë bërë thirrje për bashkëpunim dhe aktivitete të koordinuara për zbatimin e tij.