MSH dhe FSSHK nënshkruan Kontratën Kolektive Sektoriale
Prishtinë, 27 maj - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani dhe kryetari i Federatave të Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës, Blerim Syla, nënshkruan sot Kontratën Kolektive Sektoriale, që rregullon marrëdhëniet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve në sektorin e shëndetësisë.
Me rastin e nënshkrimit të Kontratës, Ministri Agani tha se është kënaqësi që MSh po po prin në këtë aspekt dhe mund tu shërbejmë edhe të tjerëve si shembull me nënshkrimin e kontratës që rregullon marrëdhëniet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve në sektorin e shëndetësisë në mënyrën më të mirë të mundshme.
MSh dhe FSSHK e kanë filluar dialogun social që nga ditët e para të mandatit tim, duke pasuar parasysh që unë kam vendosur një prioritet çështjen e rregullimit të marrëdhënieve të sektorit të shëndetësisë në çdo aspekt, me një qëllim që të kalohen të gjitha paqartësitë eventuale, të cilat Ligji i punës ka mundur ti krijojë për punëtorët shëndetësor, të cilët kanë pësuar një ndryshim ligjor në pozitën e tyre, pasi që ata kanë qenë deri në momentin e miratimit të Ligjit për Shërbimit civil punonjës civilë, e më pastaj, janë larguar nga shërbimi civil dhe si të tillë edhe Ligji i Punës i ka vënë në një pozitë të pabarabartë dhe punonjësit shëndetësor nuk kanë pasur kompensim adekuat për punën e tyre, për punën tejet specifike që e bëjnë në bazë të Ligjit për Shëndetësi, tha Ministri Agani.
Jam i bindur, theksoi ai, se Kontrata do të paraqes një themel të shëndoshë, shumë të fuqishëm në zbatimin e proceseve reformuese që nuk do të jenë të lehta dhe që do të kërkojnë një shkallë shumë më të lartë të përgjegjshmërisë edhe nga ana e Ministrisë, edhe nga ana e punëtorëve shëndetësor dhe, nga ana tjetër edhe mobilizimi i të gjitha resurseve politike e profesionale në realizimin e synimeve të përcaktuara në politikat shëndetësore për zbatimin e ligjeve shëndetësore dhe ligjeve të tjera që ndërlidhen me sektorin e shëndetësisë.
Kurse, Blerim Syla, kryetar i FSSHK-së shprehu një falënderim të veçantë për Ministrin, stafin e tij dhe stafin e Federatës që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.
Kjo është kontrata e parë pas ligjit të punës, dhe shpresoj që do tu ndihmojë edhe të gjithë punonjësve të tjerë që ta gjejnë veten. Ajo çka rregullon kjo kontratë dihet, është mirëqenia e punëtorëve, por tash kjo na obligon që partneritetin dhe dialogun social me Ministrinë ta vazhdojmë më tutje dhe punonjësit shëndetësor ti kthehen punës, ti kthehen mirëqenies sonë, pacientit dhe ta bëjmë shëndetësinë tonë konkurrente me atë të rajonit, tha ai.
Ministri Agani tha se një komision i përbashkët i MSH-së dhe FSSHK-së do të përcjell zbatimin e kontratës, vështirësitë dhe pse jo edhe përmirësimin e mëtejmë të saj.
Ministri bëri thirrje për përkrahje të reformave në shëndetësi.
Besoj që po e kuptoni strategjinë e veprimit tim politik dhe është e qartë se proceset e reformave që i kemi para janë të thella dhe kërkojnë angazhime e mbështetje të madhe si në nivelin politik, ashtu edhe në mesin e punonjësve shëndetësor dhe kërkohet mirëkuptim edhe nga punëtorët shëndetësor dhe në këtë proces, kjo Kontratë Kolektive në këtë aspekt, paraqet një lëvizje të suksesshme dhe një parakusht për reformat e suksesshme në shëndetësi, që kanë veç një qëllim-shërbime më kualitative për qytetarët e vendit dhe MSh e FSSHK janë bashkë në këtë process.