MSh bashkëpunon me Smile International
Prishtinë, 30 prill - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani, priti sot përfaqësuesit e organizatës ndërkombëtare Smile International Ruth Doubleday dhe Cliv Doubleday.
Në takim u bisedua për kontributin e dhënë të kësaj organizate, në shërbimet shëndetësore dhe në ngritjen profesionale të profesionistëve shëndetësor.
Ministri Agani vlerësoi punën e madhe që ka bërë kjo organizatë, duke i inkurajuar për punë të vazhdueshme, ngase popullata e Kosovës ka nevojë për ofrimin e çfarëdo ndihme që kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e shëndetit të tyre.
Në takim u iniciua edhe një marrëveshje bashkëpunimi në mes MSh-së dhe Organizatës Smile International.
Ekipi i kujdesit paliativ i kësaj organizate ka bërë më shumë se 3 000 vizita mjekësore tek pacientët në fazat terminale të sëmundjeve malinje në rajonin e Gjakovës dhe të Deçanit dhe ka ofruar trajnim për më shumë se 400 punëtorë shëndetësorë.
Programi i Kujdesit paliativ është themeluar ne vitin 2010 në Kosovë nga Organizata Smile International me qëllim të avancimit të kujdesit paliativ në Kosovë, që si program ka dy qëllime kryesore: avancimin e kujdesit paliativ në Kosovë dhe ofrimin e kujdesit palitiativ për pacientët me sëmundje në fazat terminale të sëmundjeve malinje.