MSH bashkëpunon me italianë për programet e skriningut të kancerit
Prishtinë, 5 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani me bashkëpunëtorë, priti sot në takimin përmbyllës ekspertët e Projektit Euromed Cancer nga Italia: dr. Luigi Bisanti dhe dr. Lina Jaramilla; si dhe anëtarët e Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, për të biseduar rreth realizimit të projektit që ka të bëjë me programin për skrining të kancerit të gjirit në Kosovë.
Dr. Luigi Bisanti nga Instituti i tumoreve në Milano dhe Dr. Lina Jaramillo nga Qendra për Parandalimin e Kancerit të Pidemontit në Torino, kanë qëndruar nga e hëna deri më sot në Kosovë, për të takuar përfaqësuesit e institucioneve shëndetësore në vend dhe ekspertë të fushës së radiologjisë, onkologjisë dhe patologjisë, në kuadër të mbështetjes së Kosovës, përmes projektit Euromed Cancer të Ministrisë së Shëndetësisë së Italisë për të filluar ngritjen e kapaciteteve në zhvillimin e programeve nacionale të zbulimit të hershëm, skriningut dhe trajtimit të kancerit të gjirit, cervikal dhe kolorektal.
Ministri Agani tha pas takimit në një konferencë për media se vizita e ekspertëve italianë ishte një kontribut shumë i rëndësishëm, që po vjen në fillim të reformës shëndetësore dhe në kohën kur po ri-dizajnohet Strategjia Sektoriale Shëndetësore, pjesë e së cilës do të jenë edhe programet për parandalimin dhe luftimin e kancerit.
Për fat të mirë, sikur u theksua edhe në takim, dhe nga biseda me ekspertët italianë, Kosova ka një incidencë më të vogël se vendet e Bashkimit Evropian sa i përket kancerit, por ne duhet të punojmë që kjo incidencë të mos rritet, theksoi Ministri Agani.
Ai tha se gjatë kësaj vizite të ekspertëve italianë është bërë dakordimi për hapat e mëtejmë që kanë të bëjnë me draftimin e Planit të Veprimit për implementimin e Programit Nacional të Skriningut të Kancerit të Gjirit nga Bordi Nacional për Kontrollin e Kancerit, adaptimin e Planit të Veprimit nga Ministria dhe pilotimin e tij në dy rajone të Kosovës si dhe krijimin nga Kuvendi i Kosovës të kornizës ligjore për Programet nacionale të skriningut të kancerit.
Profesori Luigi Bisanti vlerësoi se është ndarë shumë i kënaqur me ato që ka parë gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe i ka vlerësuar lart kapacitetet profesionale të Kosovës për tiu qasur programeve të skriningut të kancerit.
Është koha të lëvizet përpara me aksione dhe të shkohet hap pas hapi, theksoi profesori Bisanti duke theksuar se krijimi i Planit të Veprimit për programin e skriningut të kancerit të gjirit, pilotimi i tij dhe krijimi i kornizës legjislative janë hapat që duhet ndërmarrë për të vazhduar pastaj me të tjerë. Në tërë këtë proces, ka theksuar ai, duhet punuar vazhdimisht në ngritjen e kapaciteteve profesionale.
Dr. Elvis Elvis Ahmedi, koordinator i Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit, tha se prej themelimit të këtij Bordi është bërë një progres në drejtim të themelimit të Regjistrit të kancerit, janë mbledhur vitin që shkoi të dhënat për rastet e kancereve nga regjistrat spitalor, që ka rezultuar me 184 raste të reja për vitin 2012, shifra këto jo gjithëpërfshiresë sigurisht dhe se ka ende për tu bërë shumë punë.
Projekti Euromed Cancer është i mbështetur nga OBSH përmes përfaqësuesit të Zyrës së OBSH për Kontroll të Kancerit në Gjenevë dhe nga Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtim të Kancerit (IARC - International Agency for Research on Cancer) në Lyon, Francë, ndërsa Kosova është një prej 3 nga 15 vendet e Mediteranit që do të përfitojë nga ky program në fillimin e ndërtimit të skrining programeve për kancerin e gjirit në Kosovë dhe kanceret e tjera.