MPB dhe MSh shënuan ditën ndërkombëtare kundër drogës
Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe zëvendësministri i MPB-së, Sasha Rashiq, vizituan Qendrën për trajtimin e vartësve nga droga Labyrinth në Prishtinë. Drejtuesit e kësaj Qendre njoftuan për punën dhe aktivitetet që zhvillohen aty.
Më pas, vizita e tyre ka vazhduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Repartin e Neuropsikiatrisë, ku kanë parë për së afërmi ambientet në të cilat rehabilitohen përdoruesit e drogave.
Ministri Bajram Rexhepi theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në luftimin e të gjitha fenomeneve negative, me theks të veçantë format e krimit të organizuar, duke përfshirë edhe parandalimin dhe luftimin e trafikimit të substancave narkotike.
Qeveria e Republikës së Kosovës i është qasur këtij fenomeni në dy fronte. Fillimisht, përmes ngritjes së kapaciteteve të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të institucioneve përgjegjëse dhe ngritjes së vetëdijes së popullatës së përgjithshme. Ne jemi përqendruar në zvogëlimin e furnizimit të substancave narkotike në Kosovë, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani bëri të ditur se është miratuar Strategjia kombëtare për luftimin e përdorimit të narkotikëve dhe Plani nacional për ballafaqimin e sëmundjeve të varësisë nga përdorimi i substancave narkotike.
Në dy-tri vitet e fundit janë bërë rezultate tejet konkrete. Kosova është duke shënuar hapa të shpejtë dhe të jashtëzakonshëm në drejtim të ballafaqimit adekuat të kësaj dukurie shumë të rëndë, tha ministri Agani.
Ministria e Punëve të Brendshme falënderon Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për përkrahjen në kuadër të Projektit të Binjakëzimi: Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe Lufta Kundër Trafikimit të Narkotikëve 2013-2015. Ky projekt është duke u zbatuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Finlanda.
Statistika të Policisë së Kosovës:
Gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të ndjeshme të konfiskimeve të substancave narkotike, ku në krahasim me vitin 2011, përqindja e konfiskimeve për substancën narkotike të llojit marihuanë është rritur për rreth 400%.
Gjatë këtij viti janë konfiskuar rreth 300 kg substancë narkotike e llojit marihuanë, rreth 15 kg heroine dhe rreth 3.5 kg kokainë.
Nga 343 persona të dyshuar prej gjithsej 215 raste për vepra penale, të ndërlidhura me trafikim me narkotikë, 213 janë arrestuar dhe 128 janë ndaluar.
Gjatë vitit 2013, Policia e Kosovës ka shkatërruar 12 grupe kriminale që janë marrë me këtë veprimtari.