Mosha mesatare e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit është 48 - 54 vjeç
Prishtinë, 17 maj - Sot u mbajt Konferenca Rajonale për Rritjen e Ndërgjegjësimit mbi Nevojat e Paplotësuara të Kancerit të Gjirit në Kosovë, organizuar nga organizata joqeveritare Renesansa në bashkëpunim me GoldMinds, me qëllim sensibilizimin e opinionit mbi gjendjen e prevalencës së kancerit të gjirit në Kosovë dhe propozimit të modaliteteve për adresimin e sfidave aktuale.
Në këtë konferencë, e cila bashkoi akterët relevantë vendor dhe ndërkombëtar, morën pjesë Themeluesja e Fondacionit Jahjaga dhe ish-presidentja, znj. Atifete Jahjaga, Kryetari i Shoqatës së Onkologëve, z. Arben Bislimi, Themeluesja dhe Drejtoresha e organizatës joqeveritare Renesansa, znj. Violeta Pirana, Profesori dhe onkologu me renome botërore, CEO i ESO Dr. Alberto Costa si dhe përfaqësuesit e vendeve të rajonit.
Njëra nga temat kryesore që u trajtua në konferencë është trajtimi efektiv dhe i përballueshëm si pjesë e planeve kombëtare të kontrollit të kancerit në mënyrë që çdo grua të ketë qasje në trajtim adekuat dhe mbështetje pavarësisht rrethanave, me ç’rast përfaqësuesit institucional shpalosën prioritetet qeverisëse në këtë drejtim.
Kurse përfaqësuesit e rajonit ndanë përvojat e vendete të tyre në luftën për diagnostifikim të hershëm dhe trajtim me kohë të kancerit të gjirit.
Po ashtu, gjatë konferencës u shpalosën gjetjet kryesore të hulumtimit të GoldMinds mbi situatën e kancerit të gjirit në Kosovë, e të cilat ishin shqetësuese.
Sipas këtij hulumtimi, rezulton se në Kosovë format më të shpeshta të kancerit të gjirit paraqiten në stadin e tretë dhe stadin e katërt, kurse mosha mesatare e grave të cilat diagnostifikohen me kancer të gjirit është 48 – 54 vjeç.
Tutje, komunat që prijnë për nga numri i të diagnostifikuarve me këtë sëmundje janë Prishtina, Prizreni dhe Peja, ndërsa duhet theksuar se ndonëse Klinika Onkologjike nuk posedon të dhëna lidhur me rastet të cila kalojnë në metastazë por mendohet që rekurencë të sëmundjes në formë të progresit metastatik kanë rreth 30 % të pacienteve.
Konferenca, e cila është e para e këtij lloji në Kosovë, u pa nga të pranismit si një hap i domosdoshëm në kohë shumë të nevojshme për të adresuar problemet, sfidat dhe për të ofruar alternativa efikase sa i përket sensibilizimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit në Kosovë.