Morina: Në Neurokirurgji nuk ka ndërprerje të punës
Prishtinë, 29 shtator - Drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Arsim Morina ka mohuar lajmin se në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK, ka ngecje të shërbimeve shëndetësore.
Drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, Arsim Morina ka mohuar lajmin se në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK, ka ngecje të shërbimeve shëndetësore, duke thënë se vëllimi i punës në sallën e operimit dhe vizitat ditore në ambulancën specialistike kanë qenë si më parë. Ai ka deklaruat se zgjedhja e tij për drejtor është në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe standardet botërore të përzgjedhjes.
Morina ka thënë se nuk do të ketë bllokadë apo paralizëtë punës në këtë Klinikë , të paktën nuk do të lejoj të ndodhë diçka e tillë përderisa ai të jetë udhëheqës i kësaj klinike.
Vetë shpallja e grevës këto ditë nga kolegët dhe thirrja e Dr Haxhi Avdylitpër të vazhduar me grevë konsideroj që është tejet e pamatur, e papjekur dhe e papërgjegjshme ngase është jashtë çdo obligimi etiko- profesional dhe kornize ligjore. Është më se e qartë qe arsye, kushtet, mënyra e organizimit janë në kundërshtim të plotë me ligjin.
Andaj, ftoj kolegët qe të reflektojnë pozitivisht dhe mos të sfidojnë durimin instucional. Dhe krejt në fund, por jo më pak e rëndësishme frymat politike kanë filluar kalkulimet dhe presionet e tyre edhe në këtë rast e që është për keqardhje.
Të gjithë ata që më njohin e dinë shumë mirë që jam më tepër njeri i profesionit dhe shkencës se sa i politikës ditore.Çështja e dytë që jam i shtyrë të sqaroj ka të bëjë me refuzimin e kolegëve për zgjedhjen time Drejtor edhe pas shterjes se të gjitha rrugëve juridike, është se ata filluan një luftë mediale të paparë deri më tani deri në pikën e keqpërdorimit të medieve, fatkeqësisht duke u bazuar në shpifjen e kolegëve dhe të pavërtetën.
Ata dërguan një shkresë mediave ku kanë specifikuar disa pika, në bazë të se cilave e kundërshtojnë zgjidhjen time për drejtor. Pohoj që zgjidhja ime për drejtor është në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe standardet botërore të përzgjedhjes, ka thënë ai.