Mjekët pa Kufi në vijën e frontit kundër Ebolës
Prishtinë, 4 dhjetor - Ebola ka infektuar mbi 13 mijë vetë dhe ka vrarë afro 5 mijë prej tyre, thuajse të gjithë në Afrikën perëndimore. Një organizatë që ka dalë në vijën e parë të frontit në këtë betejë është shoqata Mjekët Pa Kufi.
Kjo organizatë është gjithashtu e para që ka kritikuar reagimin e ngadaltë ndërkombëtar. Korrespondentja Lisa Bryant njofton nga Parisi mbi punën e kësaj organizate dhe metodat e saj që shpesh kanë shkaktuar bujë e polemika.
Kur kalon pranë zyrës së shoqatës Mjekët Pa Kufi në Paris vëren se është në një ndërtesë të vjetër të lyer me të bardhë, pa ndonjë tabelë të dukshme, vetëm me inicialet MSF mbi derë.
Një poster në ashensor jep këshilla si të mbrohesh nga gripi. Por këtë vit shoqata është marrë më së shumti me sëmundjen e Ebolës. Mjekët Pa Kufi ka qenë në vijën e parë të frontit në Afrikën perëndimore që nga shpërthimi i epidemisë.
Në një farë mase, thotë Drejtori i Përgjithshëm i shoqatës Stephane Roques, ndodhi kështu pasi ne ishim në vendin e duhur, në momentin e duhur. Personel nga kjo organizatë ndodhej në Guine kur u identifikua rasti i parë me Ebola. Virusi u përhap shpejt në Liberinë dhe Sierra Leonen fqinje, duke infektuar mijëra vetë dhe duke shkaktuar vdekjen e mbi pesë mijë vetëve në një epidemi të papërballueshme nga sistemet shëndetësore në këto vende.
Zoti Roques thotë se shoqata ishte e vetme në fillim, me përjashtim të personelit lokal. Ai vlerëson guximin e mjekëve dhe infermjerëve afrikanë që rrezikuan gjithçka dhe në disa raste humbën jetën duke mjekuar pacientë me Ebola.
Edhe vetë shoqata Mjekët pa Kufi e ka paguar këtë angazhim. Pasi trefishoi personelin për të luftuar virusin u ballafaqua me problemin e infektimit të mbi 20 prej tyre. Më shumë se gjysma e të infektuarve nga personeli i saj kanë vdekur nga Ebola, pjesa dërrmuese ishin nga vendet ku është shfaqur epidemia.
Sot, thotë zoti Roques është vështirë të thuhet kur dhe në çfarë mënyre mund të vihet nën kontroll epidemia.
Me përhapjen e Ebolës në zona të tjera në tre vendet afrikane ku është shfaqur virusi, zoti Roques thotë se duhet të modifikohet edhe reagimi. Përveç mjekimit të pacientëve në spitale të mëdha në zona urbane, organizata synon të dërgojë ekipe të vogla, ambulante në zona të reja ku shfaqet virusi. Shoqata synon të hapë një klinikë në Monrovia për të trajtuar probleme të tjera të shëndetësisë si malarien dhe lindjet me komplikacione, të cilat janë lënë në harresë nga kriza.
Shoqata Mjekët pa Kufi ka kritikuar ashpër reagimin ndërkombëtar ndaj epidemisë, duke e cilësuar si të ngadaltë dhe të mangët. Shefja e Operacioneve Ndërkombëtare të organizatës Joanne Liu ia përcolli këtë mesazh Kombeve të Bashkuara në shtator.
\"Mjekët pa Kufi ka muaj që u bie këmbanave të alarmit, por përgjigja ka qenë shumë e vogël dhe shumë e vonuar. Mobilizimi për fonde, analiza e planeve për të ardhmen dhe puna për të prodhuar një vaksinë janë shumë të vlefshme, por nuk do të ndalin sot për sot epideminë.
Që nga themelimi i saj katër dekada më parë, Mjekët pa Kufi ka folur gjithmonë hapur për problemet që ka ndeshur. Si rezultat, kjo shoqatë gëzon respekt dhe në vitin 1999 u nderua me Cmimin Nobel të Paqes jo vetëm për punën për të shpëtuar jetë, por edhe pasi kishte ngritur zërin kundër padrejtësive, që shpesh çonin në dëbimin e saj nga vende të caktuara.
Specialistja e sëmundjeve infektive Estrella Lasry sapo është kthyer nga Liberia. Ajo thotë se ritmet e infektimeve të reja duket se po bien, por Ebola është ende jashtë kontrollit.
\"Më duket se në këtë garë, vazhdojmë të mbetemi pas; ende nuk kemi arritur ritmet e epidemisë. Kjo është një epidemi shumë e ndryshme nga të tjerat. Për shembull, në rastin e kolerës arritëm të ulim ndjeshëm ritmet e vdekjes nga sëmundja në Haiti. Në këtë rast, epidemia vazhdon prej gjashtë muajsh dhe ritmet e vdekjes mbeten në disa klinika në 60%.
Ajo shpjegon se është shumë e rëndë të shohësh pacientët që vuajnë dhe vdesin të vetëm. Po zonja Lasry thotë se mes vetë pacientëve ekziston solidaritet dhe ka edhe histori shprese dhe mbijetese. Ajo ka në plan të kthehet në Liberi për të punuar e për ti ndihmuar.