Mjekë italianë kryen operacione në Kirurgji Maksilofaciale
Prishtinë, 25 nëntor - Në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, u kryen 11 operacione të ndërlikuara, në të cilat po asistojnë ekipet mjekësore nga Universiteti i San Poalos së Milanit të Italisë.
Operacionet kanë filluar së realizuari të hënën e kaluar dhe do të përfundojnë gjatë ditës së sotme.
Ekipi mjekësorë nga Italia, po udhëhiqet nga Prof dr. Robert Brusati, Kirurg Maksilofacial, njëri nga liderët botërorë në këtë lëmi.
Nga ekipet mjekësore janë ekzaminuar 50 pacientë dhe janë operuar 11 të tjerë.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Prof. Brusati ka mbajtur 2 ligjërata për studentë të Fakultetit të Mjekësisë dhe Stomatologjisë viti V dhe VI.
Po ashtu, është organizuar Trajnimi (Kursi)nga lëmia e shizave primare-sekondare kongjenitale, çarjet e lindura të buzës dhe qiellzës.
Bashkëpunimi me ekipin mjekësorë nga Italia, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku parashihet që Prof Brusati të vi prapë në vitin tjetër për të vazhduar ekzaminimin dhe operimin e pacientëve të tjerë me probleme më të ndërlikuara nga fusha e Kirurgjisë Maksilofaciale.
Kjo është vizita e katërt e profesorëve ndërkombëtarë në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale për këtë vit.
Gjatë vitit po në këtë Klinikë, ishin Prof.Bret Ueeck-Portland,Oregon, SHBA, Prof. Miso Virag-Zagreb-Kroaci(Kryetar i Shoqatës Europiane te Kirurgëve Kraniomaksillofaciale), i cili këtë vit ka qenë dy herë, po ashtu, Prof.Jack Mc Cann-nga Dablini-Irlandë, i cili tre herë ka operuar dhe ndihmuar pacientët me probleme kirurgjike maksilofaciale.