Mitrovica formon grup ekspertësh me mjekë
Mitrovicë, 30 korrik - Shaqir Demiri, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, me përkrahjen e kryetarit të komunës, Avni Kastrati, ka formuar një grup ekspertësh me mjekë të spitalit rajonal në këtë komunë, me qëllim të krijimit të një plani për krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Drejtori Demiri, tha se ky grup do të identifikoj nevojat dhe do të propozoj hapat që duhet të ndërmerren për zbutjen e gjendjes në shëndetësi.
Ai tha se kjo po bëhet me qëllim që kryetarit të komunës, i cili është shumë i interesuar që të ndihmoj ti ofrohet një bazë e mirë në mënyrë që më lehtë ta ketë për hapat që do të ndërmerr.
Demiri theksoi se problem kryesor sa i përket shëndetësisë sekondare në këtë komunë, ku tashmë janë funksionalizuar disa reparte të spitalit të sapondërtuar, është mungesa e kuadrit.
Për shkak të rrethanave që kanë ekzistuar në këtë komunë pas lufte shumë kuadro kanë shkuar nga Mitrovica. Tash duhet të bëhet diçka në drejtim të kthimit të tyre si dhe investimet në kuadro të reja.
Në anën tjetër, kryetari Kastrati, ka thënë se shëndetësia është një prej segmenteve më të goditura nga rrethanat e pasluftës në Mitrovicë. Për këtë ai theksoi se është shumë i vendosur që të ndihmoj me të gjitha mjetet që ka në dispozicion.
Në këtë drejtim, ai përmendi edhe presionin që duhet të bëhet tek instancat qendrore që Mitrovica të trajtohet ndryshe, meqë përballet me probleme shumë të mëdha që nuk tejkalohen pa ndihmën e të gjithëve.
Ai potencoi se si zgjidhje për kuadrot që kanë vullnetin të kthehen dhe të punojnë në Mitrovicë sigurimin e banesave. Tha se duhet bërë diçka që gjendja të ndryshoj, meqë qytetarët e kësaj komune dhe gjithë rajonit kanë probleme të mëdha sa i përket shërbimeve shëndetësore.
Për nevojën e presionit më të madh drejtuar strukturave qendrore, ka folur edhe Rrustem Musa, kryesues u Kuvendit të Komunës, i cili është mjek me profesion dhe punon në spitalin rajonal në Mitrovicë.
Ai tha se duhet të investohet në shkollimin dhe përgatitjen e kuadrove të reja. Në këtë drejtim ceku se Mitrovica nuk është trajtuar si duhet as sa i përket specializimeve.
Ndërsa Nuredin Fazliu, i cili është anesteziologu i vetëm që punon në këtë spital dhe që është kthyer nga QKUK-ja pasi është funksionalizuar spitali i ri në Mitrovicë, tha se nuk është mirë që në këtë rajon, në Mitrovicë dhe në Vushtrri të funksionojnë spitale dhe që asnjëri të mos jetë në gjendje të ofroj shërbime të mira shëndetësore.
Kurse doktori Musa Miftari, tha se që 11 vjet janë bërë gabime sa i përket hapave që janë marrë në Mitrovicë në segmentin e shëndetësisë.
Ndryshe objektet e reja spitalore në Mitrovicë janë duke u ndërtuar me ndihmën e Qeverisë Norvegjeze, ndërsa deri me tani janë funksionalizuar disa reparte, por që ka probleme si pasojë e mungesës së kuadrove, mandej pajisjeve etj.