Miratohet reforma shëndetësore e Presidentit amerikan Obama
Washington, 22 mars - Pas një lufte të gjatë politike dhe një diskutimi të jashtëzakonshëm emocional, që zgjati gati 12 orë, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan në Uashington, ka miratuar reformën shëndetësore të Presidentit Barack Obama.
32 milionë amerikanë deri tani të pasiguruar, përmes këtij ligji, do të kenë sigurim shëndetësor. Me këtë ligj tani sigurohen rreth 95 për qind e popullsisë së SHBA-së, ndërsa deri tani të siguruar janë 85 për qind.
Kështu Obama mundi të arrijë të realizojë planin e tij më të rëndësishëm në politikën e brendshme. Obama foli për një \"fitore të popullit amerikan\".\"Kjo nuk është një fitore për një parti, por për popullin amerikan. Tani duhen bërë menjëherë analizat: çfarë do të thotë kjo për demokratët dhe çfarë do të thotë për republikanët?\"
Megjithatë, jo të gjitha problemet për kujdesin shëndetësor në SHBA u eliminuan. Për projektin dhe një paketë ndryshimesh votuan 219 deputetë, tre më shumë se sa ishte e nevojshme. 34 demokratë votuan së bashku me republikanët kundër.