Miratohet licencimi i importit të tre barnave për COVID-19
Prishtinë, 1 shtator - Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, miratoi të martën një propozim të grupit profesional të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, që kjo e fundit të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut, për produktet Remdesivir, Favipiravir dhe Hidroksiklorinë.
Këta barna përdoren për trajtimin e pacientëve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Në një komunikatë për media të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se miratimi i ministrit Zemaj “vlen për periudhën gjatë pandemisë COVID-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta”.
Në komunikatë po ashtu thuhet se licenca e importit pa autorizim të marketingut shpejton qasjen në tre barnat në fjalë, që janë paraparë në udhërrëfyesin klinik për menaxhimin dhe trajtimin e COVID-19.
“Ministri Zemaj do të autorizojë përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e Esenciale të Barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet në Kosovë, që nga 13 marsi, kanë konfirmuar mbi 13,400 raste me koronavirus.
Prej tyre, 525 pacientë kanë vdekur, mijëra janë shëruar, ndërsa aktive mbeten edhe 3,334 raste.
Më 31 gusht, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale kanë qenë duke u trajtuar 356 pacientë me koronavirus.